Studiuesit e ekonomisë shqiptare pohojnë se ndryshimi i formës së bashkëpunimit midis qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar është një shenjë e qëndureshmërisë së financave.
Your browser doesn’t support HTML5
Nga marrëveshja detyruese, që përfundon në muajin shkurt, vitin tjetër FMN mund të kalojë në marrëveshje këshilluese me Shqipërinë
Sipas tyre, rritja ekonomike është konfirmuar dhe kurba e borxhit publik shënon për herë të parë rënie këtë vit.
Por sa e rëndësishme është prania e FMN-së në zhvillimet e ekonomisë dhe financave shqiptare?
Studiuesit e ekonomisë besojnë se projekt -buxheti i ri 2017 ka parametrat e një buxheti të stabilizuar. “Ka Ulje të borxhit publik, eleminimin të deficitit buxhetor dhe arritja e një suficiti, sado që minimal, inflacioni vendoset në kufijtë 2-4 për qind dhe parashikohen disa reforma me rëndësi si reforma e ujit dhe ajo e drejtësisë” - thotë studiuesi Adrian Civici, president i Universitetit Europian të Tiranës.
Kjo qëndrueshmëri financiare, pohojnë studiuesit, u arrit falë bashkëpunimit me marrëveshje të detyrueshme me FMN, e cila përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, studiuesi Selami Xhepa thotë se Shqipëria ka ende shumë nevojë për praninë e FMN-së. Sipas tij, Largimi i FMN deri në vitin 2013 tregoi se drejtuesit e financave dhe ekonomia në tërësi nuk e kishin pjekurinë dhe qënsdrueshmërinë e duhur për të ruajtur parametrat makro-ekonomikë.
“Sot vendi është përsëri përballë një sfide të ngashme, pasi financat shqiptare e provuan dobinë e kërkesave rigoroze të FMN” - tha zoti Xhepa.
Marrëveshja e detyrueshme me FMN-në mund të ndryshojë nga marsi si një marrëveshje këshilluese, por kjo, pohojnë studiuesit, nuk nënkupton largimin e saj.
“Fondi do të vazhdojë të jetë i pranishëm për të bërë rekomandime dhe për të matur përgjegjshëmrinë e qeverisë, që të mos bëjë lojëra elektorale me financat dhe as masa populiste me pagat, të ardhurat etj., në një vit zgjedhor” - thotë zoti Civici.
Importet dhe konsumi janë të ngjashëm me vitin 2011 dhe 2012.
“Masat e forta fiskale dhe administrative për të disiplinuar tregjet nuk e kanë përmirësuar ekonominë reale të familjeve dhe të firmave shqiptare, ndërsa borxhet u shtuan” - thotë zoti Xhepa.
Ndaj, sipas tij, duhen parë me kujdes ndikimet e tyre në ekonominë reale si varfëria, papunësia, niveli i ulët i të ardhurave, dhe i fuqisë blerëse.
Studiuesit thonë se një transparencë më e madhe nevojitet mbi përdorimin e të ardhurave dhe borxheve, sepse shifrat janë ende të paplota.
Megjithatë FMN u ka kërkuar autoriteteve të vendosin me ligj objektivat për të ulur me një për qind cdo vit borxhin publik dhe të përdorin në gjysmë të viti vetëm gjysmën e huamarrjes së re, për të shmangur keqpërdorimet elektorale të fondeve.
Sepse herë të tjera ka ndodhur që në një vit elektoral fondet harxhohen të gjitha në gjysmën e parë të vitit.