Adem Demaçi përshëndet Zërin e Amerikës me rastin e 70 vjetorit

Sidomos për ne, Zëri i Amerikës ka pasur një rol shumë të madh, shumë të rëndësishëm sepse ne nuk kishim kë të dëgjonim, sepse pak shteteve u besonim. Për amerikanët gjithmonë ka qenë besimi i garantuar dhe i siguruar. Po bëhet gati një jetë e imja, 70 vjet, pas gjashtë muajsh unë i mbush 77 vjet. Në kohën kur kemi blerë radion kemi pyetur: ”A e kap Zërin e Amerikës..?”, nëse nuk e kapte Zërin e Amerikës, radioja nuk blihej.

Ka qenë një dritare dhe një zë që e kemi ndjekur me interesim të madh. Sigurisht, në ato kohë të dikurshme, kur kishte një farë përkrahjeje për Titon, neve nuk na vinte mirë sepse ne e dinim si ishte puna e ata nuk e dinin sepse këta dinin t’i fshihnin dallaveret e tyre, dhe dilte një situatë pak jo e pëlqyeshme për ne. Mirëpo, megjithatë Zëri i Amerikës erdhi dalëngadalë duke u thelluar në problematikën shqiptare edhe u shndërrua me të vërtetë në një qendër nga ku depërtonin lajme deri diku objektive, deri kur nisën hapur të përkrahnin lëvizjen tonë çlirimtare. Kështu që vlera e Zërit të Amerikës nuk matet me kohën gjatë të cilës ne e kemi dëgjuar, vetëm gjysëm ore, por ka patur vlerë shumë më të madhe dhe është fat i madh që po vazhdon, po të kemi parasysh se BBC u mbyll për shkaqe financiare. Amerikanët ndonësë edhe ata kanë vështirësi, po e vazhdojnë sepse e dinë rëndësinë e madhe që ka ky medium dhe kjo radio për të gjithë shqiptarët.

Ka patur raste kur disa gjëra janë thënë gabimisht por shumë shpejt janë përgënjeshtruar dhe korrigjuar. Këtë amerikanët e bëjnë, të tjerët nuk vrapojnë t’i përmirësojnë ato që kanë thënë. Kjo më ka ndodhur me Robert Gelbardin (i dërguari i Departamentit të Shtetit), në incidentin që pata me të. Por në traditën e Zërit të Amerikës është gjithmonë që të dëgjohen të dyja palët. Më telefonoi Darko Popoviçi (i shërbimit serb të VOA) dhe më tha: Sonte kemi Gelbardin lidhur me Kosovën, a dëshiron të jesh në emision? Me gjithë qejf, i thashë. Gelbardi bëri komentet e veta që lidheshin me detyrën për të cilën kishte ardhur, pra për të na ofruar neve një farë autonomie. Por mu dha edhe mua rasti të them se çfarë kërkonte Serbia, pra një dritë të gjelbër për Serbinë, që ajo të na sulmonte dhe shkatërronte në emër të luftës kundër terrorizmit, të shkatërronte lëvizjen çlirimtare dhe popullin tonë. Por nuk zgjati shumë, 4-5 ditë, dhe vetë Departamenti i Shtetit arriti të thotë: Ne e kemi parë listën e organizatave terroriste dhe UÇK-ja nuk është e regjistruar në këto organizata. Do me thënë, këtë e bën vetëm një populli i madh dhe një shtet i madh, i cili më shumë i shërben të vërtetës se sa mundohet të shtyjë një politikë të vetën etj.

Gjithashtu, kam dëshirë që përmes kësaj fjale time të shkurt t'i përshëndes krejt stafin e Zërit të Amerikës. Kam pasur rastin t'i takoj disa here, edhe ato gjeneratat tjera që nga njhuri ynë Elez Biberaj deri te shumë të tjerë disa prej të cilëve kanë dalë ne pension. Nga të gjitha stacionet e tjera në gjuhën shqipe, stafi i Zërit të Amerikës është i përgatitur shumë mirë dhe e kryen punën e vetë ashtu siç duhet. Unë u uroj atyre shëndet dhe punë të mbarë në këtë punë shumë fisnike dhe shumë të rëndësishme.

Ne jemi ende në një fazë kalimtare, kemi shumë probleme dhe na duhet ende një zë i paanshëm, një zë që është në anën e demokracisë në anën e të vërtetës, në anën e popujve të shtypur që përpiqen për t'u liruar dhe për të fituar të drejtat e tyre legjitime.