A mund të ndalohet konsumi i kafshëve të egra në Azi?

Shkencëtarët thonë se ka të ngjarë që COVID-19 të ketë origjinën përmes trasmetimit të virusit nga kafshët tek njeriu, në një treg të kafshëve të egra në qytetin Wuhan të Kinës.

Studime të reja nga “Global Virome Project”, një projekt global për të rritur gatishmërinë ndaj pandemive, tregon se bota mund të përballet çdo vit me rreth pesë patogjenë të rinj të ardhur nga kafshët që mund të infektojnë njerëzit.

Studimet po shtojnë sensin e urgjencës për të frenuar tregtinë e kafshëve të egra. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Sandford sjell më shumë hollësi nga qyteti Krabi i Tajlandës.

Në Azi, tregtia e kafshëve të egra është një biznes i rendësishëm që llogarit fitime prej më shumë se 7 miliardë dollarë vetëm në Kinë, sipas grupeve kryesore për ruajtjen e botës së egër dhe mjedisit.

Por tregtia dhe konsumimi i kafshëve të egra është bërë një kërcënim global, si rezultat i rritjes së kalimit të viruseve nga kafshët tek njeriu. Pjesa dërmuese e ekspertëve po bëjnë thirrje për ndalimin e tregtisë dhe konsumit të kafshëve të egra. Steve Galser punon për Fondacionin Freeland.

“Nuk bëhet fjalë për gjuetinë e drerëve dhe rosave. E kemi fjalën për dhënien fund të tregtisë globale komerciale të kafshëve të egra. Ky virus filloi në tregun e kafshëve të erga në Wuhan të Kinës. Kinezët e dinë. Prandaj e mbyllën atë dhe të gjitha tregjet në vend dhe kanë ndaluar tregtinë dhe konsumin e kafshëve të egra.”

Oreksi i Azisë për të ngrënë kafshë të egra ka çuar në shpërthimin e viruseve në fillim të viteve 2000, përfshi pandeminë SARS. Besohet se virusi është transmetuar nga lakuriqët tek kafsha Pangolins dhe një specie e maceve të egra, para se të kalonte tek njerëzit.

Në të kaluarën, asnjë nga sëmundjet që e kanë burimin nga kafshët nuk ka qënë kaq e përhapur sa koronavirusi. Mjekët po varin shpresat tek teknologjia për zhvillimin e vaksinave. Dr. Wittaya Watthana Reongkovit është zyrtar i lartë i shëndetit publik në Tajlandë.

“Kjo pandemi po përhapet me shpejtësi, por ne kemi komunikim më të mirë dhe më të shpejtë në kohë reale. Avancimet teknologjike po ndihmojnë në zhvillimin e një bioteknologjie të re.”

Në vendet fqinje të Kinës si Mianmari, gjuetia e kafshëve të egra është traditë që ofron ushqim dhe të ardhura për familjet lokale. Por ndërsa zgjerohet zhvillimi në zonat rurale, kërcënimi i trafikimit të kafshëve të egra bie ndesh me traditat e popullsisë lokale. Ey Kaw është banor i fshatit Karen pranë kufirit mes Mianmarit dhe Tajlandës.

“Kjo është mënyra jonë e të jetuarit. Nuk dimë për viruse apo sëmundjen. Nuk është përparësia jonë. Nëse do ndalohet gjuetia e kafshëve të egra, kjo do të vështirësonte ushqyerjen për ne. Jetojmë në xhungël dhe nuk kemi se me çfarë të ushqejmë fëmijët tanë.”

Ndërsa Kina vazhdon të lehtësojë kufizimet në ish zonat e prekura rëndë nga koronavirusi, grupe të konservimit thonë se do të vazhdojnë presionin për të eleminuar përgjithmonë tregtinë e kafshëve të egra, dhe viruset vdekjeprurëse që sjellin ato.