Komisioni irakian i zgjedhjeve thotë se rezultatet e votimit të 30 janarit që ishin në plan të bëheshin të ditura sot, nuk janë gati për shkak të parregullsive në votim.
Komisioni tha dje vonë se është e nevojshme që të numërohen përsëri fletëvotimet nga 300 kuti.
Ndërkohë, kryengritësit e intensifikuan fushatën e tyre të dhunës pas zgjedhjeve. Në qytetin jugor Basra, persona të armatosur vranë gazetarin Abdul-Husein Khazal, i cili punonte për televizionin al Hura të financuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe djalin e tij tre vjeçar.
Në Bagdad, tre politikanë kurdë u vranë në një pritë. Në një incident të veçantë, persona të paidentifikuar rrëmbyen një zyrtar të lartë të ministrisë së mrendshme irakiane.
Në veri të kryeqytetit, në afërsi të Baladit, një ushtar amerikan u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një sulmi kundër autokolonës së tyre. Dy persona të dyshuar si kryengritës u ndaluan pas sulmit.