Irak: Masa te rrepta sigurie në prag të zgjedhjeve - 2005-01-17

Masat do te vihen në funksion duke filluar nga data 29 janar, në përpjekje për të forcuar sigurinë me rastin e zgjedhjeve. Njoftimi bëhet ndërkohë që forcat irakiane dhe amerikane vazhdojnë të ndalojnë persona të dyshuar si kryengritës. Ushtria amerikane thotë se të paktën 31 persona janë ndaluar dhe 5 të tjerë janë vrarë që nga dita e djeshme.

Në Bagdat një person kreu një sulm vetvrasës duke shkatuar edhe vdekjen e dy njerëzve të tjerë para zyrës së Këshillit të Lartë për Revolucionin Islamik, një parti kryesore shiite. Kjo parti konkuron bashkarisht me Aleancën e Bashkuar Irakiane, e cila pritet të sigurojë një numër të madh vendesh në zgjedhjet parlamentare të 30 janarit.

Ndërkohë në Irak, tetë shtetas kinezë janë rrëmbyer dhe janë kërcënuar me vdekje nga kryengritësit. Në një video të transmetuar nga televizioni Al-Jazeera, ku duken pengjet në fjalë, kryengritësit kërcënojnë se do t’i vrasin ata nëse Kina nuk sqaron rolin e saj në Irak brenda 48 orësh.

Agjencia zyrtare kineze e lajmeve e konfirmoi rrëmbimin dhe tha se personat janë punëtorë ndërtimi në një projekt për rindërtimin e një uzine irakiane.

Ndërkohë, një zëdhënës i Vatikanit thotë se rrëmbyesit kanë liruar kryepeshkopin e Kishës Katolike Siriane në qytetin verior Mosul. Zëdhënësi tha se nuk është paguar ndonjë shpërblim për lirimin e klerikut, i cili u rrëmbye dje. Kryepeshkopi i tha Radio Vatikanit se ishte trajtuar mirë nga rrëmbyesit.