Terroristi Abu al-Zarkawi mori përgjegjësinë për vrasjen e zëvendës shefit të policisë së Bagdatit dhe djalit të tij - 2005-01-10

Një grup i drejtuar nga terroristi Abu al-Zarkawi mori përgjegjësinë për vrasjen e zëvendës shefit të policisë së Bagdatit.

Grupi, i cili e quan veten Organizata al-Qaida e Luftës së Shenjtë në Irak, e bëri deklaratën në një faqe islamike interneti, vetëm pak orë pasi persona të armatosur vranë zotin Amer Nayef dhe djalin e tij polic.

Zyrtarët irakianë thonë se dy personat u vranë kur po dilnin nga shtëpia e tyre në lagjen Dora të Bagdatit.

Gjashtë ditë më parë kryengritësit vranë guvernatorin e Bagdatit dhe gjashtë truprojet e tij ndërsa po shkonin në punë.

Në një zhvillim tjetër, autoritetet amerikane njoftuan se dy ushtarë amerikanë u vranë dhe katër u plagosën kur makina e tyre e blinduar hasi në një bombë të vendosur në anë të rrugës.

Gjithashtu, autoritetet thanë se nga shpërthimi i një makine bombë në jug të Bagdatit, u vranë të paktën tre persona.//ii