Intervistë me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova - 2005-01-04

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova thotë në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se viti 2005 duhet të jetë periudhë e përmbylljes së procesit të pavarësimit të Kosovës. Duke e cilësuar dialogun me Beogradin si shumë të vështirë, presidenti Rugova thotë se pavarësia e Kosovës veç të tjerash do të mundësonte edhe integrimin e plotë të komunitetit serb. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai shpreh besimin se institucionet që u themeluan si pjesë e marrëveshjes pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar, do të jenë në gjendje të përmbushin standardet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare deri në mesin e vitit 2005.

Zëri i Amerikës: Viti 2004 nuk ishte një vit i lehtë për Kosovën. Si i vlerësoni ju zhvillimet politike gjatë këtij viti në Kosovë?

President Rugova: Zhvillimet politike dhe zhvillimet e përgjithshme ishin pozitive në Kosovë. Ka vazhduar përparimi i filluar që prej disa vitesh. Rezultat i këtij viti janë edhe zgjedhjet kombëtare që kemi mbajtur, të cilat u zhvilluan në një atmosferë korrekte, demokratike dhe të lira, dhe është me rëndësi që këto zgjedhje u vlerësuan pozitivisht edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Rezultat tjetër është edhe zgjedhja e institucioneve të reja në parlamentin e Kosovës, sepse siç e dini ne nuk kemi zgjedhje të drejtpërdrejta të presidentit dhe të deputetëve, dhe shpresojmë që herën tjetër do t’i kemi të tilla. Çdo vit ka vështirësitë e veta, por ato i konsideroj më shumë si vështirësi të zhvillimit dhe të punës sesa si pengesa. Ne kemi pasur një përparim të mirë gjatë këtij viti në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti president, siç thatë edhe ju, një nga sukseset ishin zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Dhe fundi i vitit 2004 shënoi edhe fillimin e punës së institucioneve të reja të dala nga këto zgjedhje, që kanë mbi vete përgjegjësinë për përmbushjen e standarteve që do të çojnë në zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. A besoni ju se kjo përgjegjësi do të përmbushet deri në mesin e vitit 2005, siç është përcaktuar edhe afati për vlerësimin e tyre?

President Rugova: Do t’i përmbushim ato pjesë të standarteve që kanë mbetur, ato që ne quajmë standarte prioritare, të cilat janë siguria, stabiliteti, mbrojtja e minoriteteve, dhe një element tjetër që është reforma e administratës në Kosovë - një proces që duhet ta fillojmë dhe që do të zgjasë më shumë, si në të gjitha vendet e tjera. Deri nga mesi i vitit 2005 do të bëhet më shumë vlerësimi i standarteve që kemi plotësuar, sepse ne nuk mund të krahasohemi me standartet që u vihen vendeve më të zhvilluara, vendeve me pavarësi të njohur etj., megjithatë unë më shumë do të përqendrohem tek vlerësimi i standarteve, sepse deri me rastin e zgjedhjeve të këtij viti, ne nuk kemi pasur një vlerësim të progresit të proceseve në Kosovë. Këtë tani e bëri zoti Petersen në Këshillin e Sigurimit, ku dha një vlerësim teknik të standarteve, të përparimit në Kosovë, që është një hap i mirë. Por gjithsesi, ne jemi të aftë t’i realizojmë këto dhe t’i vlerësojmë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti president, një pjesë e mirë e këtyre standarteve ndërlidhet me gjendjen e pakicave në Kosovë. Në këtë kuadër, cili mund të jetë ndikimi i bojkotimit të mundshëm të përfaqësuesve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, dhe sa mund të pengojë përmbushjen e këtyre standarteve?

President Rugova: Pakicat dhe grupet e tjera etnike kanë pranuar të integrohen në Kosovë ndërsa për serbët kjo është një çështje tjetër, sepse ata akoma jetojnë me logjikën e vjetër se nuk ka ndodhur asgjë, manipulohen nga Beogradi, megjithëse një pjesë dëshirojnë të integrohen, por kanë frikë. Pra në këtë kontektst, pavarësia do ta zgjidhte edhe këtë problem. Ne do të bëjmë çmos si institucione që t’ua ofrojmë të gjitha shanset që ata të integrohen. Dhe të mos harrojmë se serbët kanë vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës sikurse minoritetet e tjera, tani kanë edhe zëvendësministër. Pra ne, nga ana jonë si shtet, si shoqëri i kemi kryer detyrimet tona. Ata, në vendet e tyre ku jetojnë, kanë buxhet të veçantë, shkolla, ambulanca dhe ne po punojmë edhe për lirinë e qarkullimit. Mospjesëmarrja e tyre nuk do ta pengojë procesin e përmbushjes së standarteve, sepse ne duhet të shikojmë interesat e shumicës së popullatës së Kosovës, shumicës së qytetarëve, dhe natyrisht duke ecur përpara në këtë fushë, do të ketë avancim edhe për minoritetet dhe minoritetin serb. Pra ne nuk mund ta bllokojmë shumicën e popullit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti president, si pjesë e standarteve është përmendur edhe dialogu me Beogradin. Si e shihni ju të ardhmen e këtij standarti apo këtij dialogu?

President Rugova: Është shumë e vështirë. Ne kemi provuar të bisedojmë gjatë këtyre dy viteve për çështje teknike dhe është e vështirë të zhvillohet dialog me Beogradin, sepse ato kanë pretendime të tjera dhe akoma nuk janë liruar nga interesat e tyre për Kosovën dhe ata akoma nuk e kuptojnë se që nga viti 1999 Kosova është ndryshe. Më lehtë do të ishte të bisedonim me Beogradin kur të njihet pavarësia e Kosovës. Megjithëse ne do të provojmë; unë mendoj se është shumë vështirë të bisedohet me Beogradin edhe për çështjet më të vogla, sepse ata janë shumë të ngarkuar me çështjet e së kaluarës së keqe.

Zëri i Amerikës: Kjo vështirësi, a e bën edhe më të rëndë procesin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës?

President Rugova: Jo. Janë dy rrugë për njohjen e pavarësisë së Kosovës: njohja e drejtpërdrejtë që kërkoj unë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian, që do të ishte më e mirë dhe që ta pranonin edhe fqinjët tanë, ndër ta edhe Beogradi, meqenëse Beogradi nuk ka më të drejtë vetoje në çështjen e Kosovës; dhe rruga tjetër është nëse bëhet një takim i vogël ndërkombëtar, ku do të merrnin pjesë faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, OKB-ja dhe vendet fqinje, dhe ku do të njihej pavarësia e Kosovës nga të gjithë. Megjithatë, unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejt që është më e shëndetshme dhe më e mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti president, të kthehemi tek zhvillimet e brendshme. Në të kaluarën ju jeni angazhuar për një formë të qeverisjes me pozitë dhe opozitë. Si e vlerësoni ju fillimin e punës së institucioneve të reja me këtë formë deri tani të paprovuar shumë në Kosovë, pra edhe me një opozitë në parlament?

President Rugova: Mund të them se si fillim gjërat kanë rrjedhur mirë. Është bërë transferimi i pushtetit nga qeveria e mëparshme tek qeveria e re, janë zgjedhur ministrat e rinj dhe ministritë e reja dhe ky është një fillim i mbarë i punës. Ne deri tani, siç e dini, kemi pasur një marrëveshje të gjerë për qeverinë që ka funksionuar gjatë mandatit të kaluar 3-vjeçar, ku janë vënë bazat e institucioneve, ndërsa tani është pozitive që të punojmë për qeverinë me pozitën dhe opozitën, sepse kjo do të jetë më efikase dhe ne jemi në një fazë që përpiqemi të jemi më efikasë në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës. Pra si çdo vend demokratik, qeveria dhe institucionet do të punojnë, dhe opozita do të kritikojë me argumente etj., në mënyrë që të mos bien në gjumë ata që udhëheqin. Megjithatë duhet të kemi kujdes që të bashkëpunojmë në pikat kyçe të interesave kombëtare, dhe këtë e kemi bërë për shembull për pavarësinë dhe zhvillime të përgjithshme në çështje të tjera si çdo sistem demokratik.

Zëri i Amerikës: Ekzistenca e opozitës nënkupton edhe ashpërsimin e gjuhës politike. Meqë demokracia në Kosovë është ende në një fazë të brishtë, a keni shqetësim se ajo mund të dëmtohet nga një ashpërsim i gjuhës politike?

President Rugova: Varet nga të dy palët; por në përgjithësi ne kosovarët nuk kemi ndonjë gjuhë të ashpër dhe gjithsesi edhe ashpërsimi i gjuhës do të thotë që punët të ecin më mirë. Unë mendoj se nga ana ime si president i Kosovës dhe institucionet e tjera nuk do të kemi situata konfliktuoze dhe do të shohim sa mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët për çështjet e përgjithshme. Megjithatë, mendoj se do të shkojmë mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti president, pas themelimit të koalicionit qeveritar është folur shumë se ai mund të jetë i lëndueshëm edhe për shkak të marrëdhënieve me Gjykatën e Hagës duke iu referuar më shumë intervistimit të kryeministrit Ramush Haradinaj nga ana e hetuesve të kësaj gjykate. Cili është komenti juaj?

President Rugova: Ka pasur mendime të ndryshme, spekulime të ndryshme, por bazë ligjore dhe kushtetuese nuk ka për të penguar zotin Haradinaj të jetë kryeministër i Kosovës, do të thotë as nga kushtetuta e Kosovës apo nga korniza të tjera ligjore. Siç e dini ai ka bashkëpunuar me gjykatën gjatë intervistimit, pra është një proces ligjor dhe plotësisht demokratik, dhe ky do të vazhdojë.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni nga viti 2005 për Kosovën?

President Rugova: Të njihet pavarësia sa më shpejt, gjë që do të qetësonte popullin e Kosovës dhe do të hapte prespektiva të reja për zhvillimin ekonomik, demokratik dhe për një stabilitet të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi ecur shumë shpejt gjatë këtyre 5 viteve dhe pavarësia do të hapte prespektiva të reja dhe do të qetësonte këtë pjesë të botës apo Europës. Ne kemi biseduar, dhe ka ardhur faza kur duhet të marrim kredi dhe garantim të investimeve, dhe me njohjen e pavarësisë do të kishim më shumë mundësi, pasi shumë institucione ndërkombëtare thonë se çështja e njohjes së pavarësisë i pengon këto procese. Pra, dëshiroj që në vitin 2005 kjo të realizohet.//ii