Trupat izraelite ndërmorrën sot një inkursion të ri në pjesën veriore të Rripit të Gazës, menjëherë pas përfundimit të një operacioni në jug të këtij territori palestinez.
Dëshmitarët thonë se rreth 30 tanke izraelite dhe autoblinda hynë në zonën Beit Hanoun pranë pikë-kalimit kufitar të Erezit midis Izraelit dhe Gazës. Ofensiva filloi pak orë pasi trupat izraelite i dhanë fund një inkursioni treditor në kampin e refugjatëve Khan Younis në Gazën jugore, ku ushtarët u përpoqën të parandalojnë sulmet me mortaja kundër vendbanimeve hebraike aty pranë.
Udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Mahmoud Abbas e dënoi inkursionin izraelit në Rripin e Gazës, i cili la më shumë se 10 palestinezë të vdekur. Duke folur dje gjatë një fushate në Gazë, zoti Abbas tha se aksioni ushtarak izraelit përbënte ndërhyrje në procesin e paqes.