Një zyrtar i FMN-së thotë se zgjedhjet e rregullta do të nxisnin investimet e huaja në Shqipëri - 2004-12-22

Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, tha se përpekjet ekonomike në Shqipëri duhet të kalojnë tani nga faza e liberalizimit, tek reforma në institucione dhe nxitja e konkurrencës. Julio Escolano, sapo është kthyer nga një vizitë në Tiranë dhe i tha dje Zërit të Amerikës, se zgjedhjet e rregullta në Shqipëri, do ta ndihmojnë këtë vend të tërheqë investime të huaja. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Escolano theksoi gjithashtu nevojën për pavarësinë e Bankës Qendrore nga qeveria.

Zëri i Amerikës: Zoti Escolano, çfarë është e ndryshme në buxhetin për vitin 2005 në krahasim me vitin 2004 dhe vitet e tjera të kaluara?

Julio Escolano: Para së gjithash buxheti është shumë më realist, në kuptimin që në të kaluarën të ardhurat parashikoheshim më të larta nga ç’realizoheshin në të vërtetë, ishin të ekzagjeruara. Si rezultat kur merreshin të ardhurat konkretisht, shpenzimet duhej të pakësoheshin, ndonjëherë sa për të kaluar situatën. Ne mendojmë se ky buxhet është hartuar mbi bazat e parashikimeve realiste për të ardhurat, mbështetur tek të ardhurat e vitit 2004, kështu që ka shumë shanse për t’u zbatuar. Kjo do të thotë që do të ketë më shumë transparencë, më shumë planifikim për shpenzimet dhe një shpërndarje më të mirë të të ardhurave në fushat me përparësi.

Zëri i Amerikës: Si do ta krahasonit gjendjen fiskale dhe financiare të Shqipërisë në krahasim me gjendjen se ku duhet të ishte dhe jo thjesht me atë që është bërë vitet e fundit?

Julio Escolano: Qëllimi i vizitës këtë radhë ishte të shqyrtonim një hark më të gjerë kohor dhe sesi ka ecur ekonomia shqiptare, në një këndvështrim më të gjerë. Duhet të them fillimisht se që nga viti 1997, borxhi publik ka rënë me 11 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka është një konsolidim i konsiderueshëm i financave publike. Tani ky borxh është në shifrën 56 % i këtij prodhimi. Pra në këtë drejtim ne besojmë që financat publike kanë hyrë në një rrugë shumë të mbarë, jo vetëm 5 vitet e fundit, por në 10 vitet e fundit. Defiçiti është pakësuar ndjeshëm. Tani theksi duhet të jetë tek reforma në institucionet publike, që janë institucionet e buxhetit, apo fiskale.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për përparime në fushën financiare dhe fiskale në Shqipëri, por shmangia fiskale është shumë e përhapur dhe po ashtu ekonomia informale. Si mund të shpjegohet kjo dukuri?

Julio Escolano: Që të themi të drejtën, institucionet shqiptare kanë bërë një përpjekje serioze për të nxjerrë shifra për ekonominë informale. Është në fakt që nga vendet më të pakta të rajonit që bën një gjë të tillë, për të matur prodhimin e brendshëm bruto, ose prodhimin e përgjithshëm, përfshirë ekonominë informale. Problemi është që ka shmangie fiskale dhe mosrespektim të sistemit të taksave. Prandaj hapi i mëtejshëm duhet të jetë një përpjekje masive në reformimin e efektivitetit të administratës së taksave. Ekonomia shqiptare është rritur me 6-6,5 për qind mesatarisht gjatë 5-7 vjetëve të fundit. Inflacioni ka qenë relativisht i ulët që nga viti 1998 dhe treguesit e tjerë ekonomikë flasin për një rritje të konsiderueshme. Elementët që e kanë nxitur këtë rritje ekonomike deri tani kanë qënë liberalizimi i ekonomisë dhe zgjerimi i ekonomisë së tregut. Por këta elementë tashmë e kanë ezauruar veten dhe nuk mund të shërbejnë më si faktorët kryesorë nxitës të ekonomisë. Prandaj është e nevojshme që të bëhen përpjekje për një rritje tjetër, atë nga eksportet dhe konkurrenca. Në këtë drejtim, gjendja në Shqipëri nuk është e kënaqshme. Deficiti tregëtar është rreth 23 për qind e prodhimit të brendshëm bruto dhe të ardhurat aktuale varen nga të ardhurat që dërgojnë emigrantët dhe transferimet zyrtare dhe private dhe në të ardhmen afatgjatë kjo shifër duhet të bjerë. Kështu faza e ardhshme është përmirësimi i konkurrencës, eksporteve dhe importeve, prodhimi brenda vendit. Në fakt shtimi i konkurrencës do të shtonte edhe investimet.

Zëri i Amerikës: FMN-ja ka shprehur shqetësimin për emërimin e disa personave që mbajnë poste publike, si për shembull Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në Bordin e Bankës Qendrore në Shqipëri, pasi preket pavarësia e këtij bordi. A keni biseduar për këtë me autoritetet shqiptare dhe cili është reagimi që keni marrë prej tyre?

Julio Escolano: Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme që Banka Qendrore të ruajë pavarësinë e saj ndaj qeverisë. Meqenëse Bordi i Bankës është niveli më i lartë i vendimmarrjes në Bankën Qendrore, është veçanërisht e rëndësishme që të jetë i pavarur nga qeveria. Ne nuk kemi asgjë kundër individëve të caktuar, por ne mendojmë se nuk duhet të kesh dy detyra: njëra si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore dhe një tjetër në një pozicion të lartë në administratë. Publiku nuk duhet ta shohë Bordin si të varur nga qeveria. Pozicionet e larta në qeveri, do ta komprometonin këtë pavarësi. Ne po e diskutojmë këtë çështje me autoritetet shqiptare.

Zëri i Amerikës: Vitin e ardhshëm në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe institucionet ndërkombëtare janë shprehur se ato do të kenë një rëndësi shumë të madhe mes të tjerash, edhe për raportin që do të ketë Shqipëria me këto institucione, nga mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve. Çfarë rëndësie do të ketë mënyra e zhvillimit të tyre për vazhdimin e programeve të FMN-së dhe Bankës Botërore në Shqipëri?

Julio Escolano: Ka një farë lidhjeje me zgjedhjet dhe situatën politike, së pari sepse në një moment zgjedhjesh ekziston gjithmonë mundësia për pasiguri politike dhe investitorët mund t’i pakësojnë investimet në Shqipëri, ose t’i rrisin, në varësi të ecurisë së procesit politik. Lidhja e dytë është që shumë donatorë kanë vënë si kusht për angazhimin e tyre në Shqipëri, me përparimin në zgjedhje të rregullta. Në këtë kuptim ne sigurisht i nxisim autoritetet që të marrin masat që zhvillimi i zgjedhjeve në Shqipëri të jetë sipas standardeve ndërkombëtare. Gjëja e fundit që doja të thoja për zgjedhjet, është se për të ardhmen synimi në Shqipëri duhet të jetë rritja e konkurrencës dhe tërheqja e investimeve të huaja direkte, që do të nxisnin rritjen. Për tërheqjen e investimeve ne kërkojmë përmirësimin e qeverisjes dhe reformave institucionale, pasi investitorët duan të shohin atje ku duan të investojnë para, që ka shtet ligjor, që gjykatat janë efikase.