Presidenti Bush nderoi me Medaljen presidenciale të Lirisë ish-Drejtorin e CIA-s George Tennet, ish-administratorin amerikan në Irak Paul Bremer dhe ish-komandantin amerikan në Irak, gjeneralin Tommy Franks.
"Këta tre burra simbolizojnë fisnikërinë e shërbimit publik, karakterin e mirë të vendit tonë dhe ndikimin pozitiv të Amerikës në botë."- tha Presidenti.
Drejtori Tennet u largua këtë vit nga detyra e shefit të CIA-s, duke i dhënë fund këtij posti që e filloi kur president ishte Bill Clintoni. CIA siguroi shumicën e informacioneve që çuan në pushtimin e Irakut dhe sipas njoftimeve, drejtori Tennet u tha anëtarëve të kabinetit se informacionet lidhur me armët e shkatërrimit në masë të Irakut ishin të sigurta.
Që nga rënia e Bagdadit, inspektorët e armëve të Shteteve të Bashkuara arritën në përfundimin se Iraku nuk kishte armë të shkatërrimit në masë për të cilat kishte paralajmëruar Presidenti Bush. Por sot, në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë nuk u bë fjalë për dështime të agjencive të zbulimit, ndërsa presidenti Bush vlerësoi ish-shefin e zbulimit për luftën kundër terrorizmit.
"Përpjekjet e tij të palodhura kanë nxjerrë para drejtësisë armiqtë e Amerikës, si dhe i kanë sjellë më shumë siguri popullit amerikan; ne sot nderojmë një njeri si George John Tennet, një patriot, për shërbimin e tij të mirë publik."-tha Presidenti.
Detyra e zotit Bremer si administratori amerikan në Irak përfundoi në fillim të këtij viti, me transferimin e pushtetit qeverisë kalimtare. Që nga ajo kohë, zoti Bremer ka vënë në pikëpyetje publikisht forcën e trupave amerikane në Irak. Ai është bërë objekt kritikash për planifikimin e tranzicionit në periudhën e pas luftës, që është zbehur për shkak të vazhdimit të dhunës.
Presidenti Bush falënderoi burrin, që ai e quajti Jerry, për planifikimin e zgjedhjeve të 30 janarit në Irak, zgjedhje që presidenti Bush thotë se do të përhapin demokracinë në mbarë rajonin.
"Jerry do të kujtohet kurdoherë për punën e tij të shkëlqyer në hedhjen e themeleve për demokracinë e re në Lindjen e Mesme."
Tommy Franks u plagos dy herë gjatë luftës në Vietnam dhe ai shërbeu në Luftën e Gjirit Persik, por Presidenti Bush thotë se sfida e tij më e madhe dhe shërbimi i tij më i rëndësishëm, ishte pas sulemeve terroriste të 11 shtatorit të viti 2001, kur ai mori komandën e forcave amerikane në Afganistan dhe në Irak.
"Si komandant i CENTCOM-it, Tommy Franks kishte përgjegjësinë e mbrojtjes së interesave amerikane në disa nga terrenet më të largëta dhe më të vështira të botës. Kjo është një punë që kërkon vendosmërinë e një gjenerali, largpamësinë e një strategu, taktin e një diplomati dhe aftësitë e një menaxheri të mirë. Tommy Franks i udhëhoqi forcat që luftuan dhe fituan dy luftëra, në mbrojtje të sigurisë së botës dhe ndihmoi në çlirimin e më tepër se 50 milionë njerëzve nga dy prej tiranive më të këqia të botës."- tha Presidenti.
Medalja presidenciale e Lirisë filloi të jepet për herë të parë nga Presidenti Harry Truman në vitet ’50, për të nderuar civilët që kanë dhënë kontribut të madh për interesat amerikane, paqen në botë, ose përpejkjet në fushën e kulturës. Ndër personat që janë nderuar më parë me këtë medalje janë Papa Gjon Pali i Dytë, ish-shefi i NATO-s George Robertson, guzhinjerja me famë Julia Child dhe artistja Rita Moreno./ lk //