Petersen: qeveria e re e Kosovës do të ketë para vetes detyra shumë të rëndësishme - 2004-12-01

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Sorren-Jessen konfirmoi sot në aeroportin e Prishtinës, se e kishte ftuar kryeministrin Bajram Rexhepi që të shkonte me të në Nju Jork në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, por siç tha ai, zoti Rexhepi kishte ndjerë se kjo ishte e papërshtatshme dhe po kështu, ishte rënë dakord që ishte më e rëndësishme që zotërinjtë Rugova dhe Haradinaj të qëndronin në Kosovë për të punuar për koalicionin, për të punuar për programin. Zoti Petersen tha se pret që kur të shkojë në shkurt në Nju Jork, të shoqërohet nga qeveria e Kosovës.

Kryeadministratori Sorren-Jessen Petersen përsëriti nevojën për respektimin e rregullave të demokracisë, ai vuri në dukje se dy partitë, LDK dhe AAK kanë rënë dakord për krijimin e këtij koalicioni qeveritar. Zoti Petersen nënvizoi se zoti Haradinaj vetë ka informuar për intervisitimin e tij nga Haga dhe shtoi se nëse gjykata e Hagës vazhdon me procedimin ndaj zotit Haradinaj, kjo duhet bërë bazuar në drejtësi, dhe se Kosova siç u shpreh ai, do të tregojë se respekton drejtësinë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut Jeff Bieley pohoi sot se UNMIK-u e ka për detyrë të bashkëpunojë me gjykatën e Hagës, por nuk komentoi se çfarë do të bënte kjo administratë konkretisht nëse zoti Haradinaj do të akuzohej zyrtarisht nga gjykata e Hagës pasi të votohet si kryeministër nga parlamenti i vendit.

Kryeadministratori Petersen tha sot pasdite në aeroportin e Prishtinës se qeveria e re që pritet të kryesohet nga zoti Haradinaj do të ketë një detyrë shumë të rëndësishme përpara, çuarjen përpara të procesit të nisur. Qeveria siç u shpreh ai, do të ketë tani përgjegjësi për këtë.

Zoti Petersen është takuar në Nju Jork edhe me përfaqësuesin serb Nebojsha Covic, me të cilin ka biseduar për decentralizimin e pushtetit në Kosovë dhe përfshirjen e serbëve të Kosovës në proceset e këtushme.

//ze//