Dy zyrtarë të lartë të CIAs largohen - 2004-11-25

Dy zyrtarë të lartë të CIA-s, iu bashkuan zyrtarëve të tjerë të lartë nga kjo agjenci që po japin dorëheqjen pas fillimit nga detyra të drejtorit të ri të CIA-s, Porter Goss.

Burime nga CIA thonë se drejtori i drejtorisë për Evropën dhe drejtori i drejtorisë për Lindjen e Largme, do të dalin në pension, por për ta nuk do të ketë njoftim publik për t’i indentifikuar meqë në të kaluarën kanë punuar si agjentë të fshehtë.

Gazeta Nju Jork Times citon burime të agjencisë që thonë se zyrtarët po largohen për shkak të pakënaqësive me ekipin e ri drejtues të zotit Goss.

Javën e kaluar nën drejtori i agjencisë për operacionet Stephen Kappes dhe ndihmësi i tij Michael Sulik, dhanë dorëheqjen. Burimet e CIA-s fajësuan për këto dorëheqje ndihmësit që zoti Goss solli me vete në agjenci nga Kongresi.

Numri dy i agjencisë John McLaughlin e kishte dhënë dorëheqjen në fillim të muajit duke përmendur arësye personale.

Zoti Goss erdhi si drejtor i CIA-s në muajin shtator me një mandat nga Presidenti Bush për të reformuar agjencinë.