Xhon Bolton: Gjykata e Hagës -kërcënim për stabilitetin në Ballkan - 2004-10-25

Një gazetë e Washingtonit njoftoi se Shtetet e Bashkuara duan të mbyllin Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë dhe t’ia kalojnë ndjekjen penale për krimet e luftës gjatë viteve ’90 gjykatave vendore në ish republikat jugosllave.

Washington Times bëri të ditur se Nënsekretari Amerikan i Shtetit për Kontrollin e Armëve Xhon Bolton i ka thënë një korrespondenti të kësaj gazete në një intervistë se Gjykata e Hagës është shfaqur si kërcënim i stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Ai citohet të ketë thënë se gjykata ka krijuar armiqësi të reja, në vend që të nxisë pajtimet etnike.

Zoti Bolton tha se ndjekjet penale për krime lufte që kanë ndodhur në ish-republikat jugosllave duhet t’u kalohen Serbisë dhe Malit të Zi, Kroacisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, në mënyrë që ato vende të detyrohen të përballen me krimet e tyre. Prokurorja e gjykatës së Hagës Karla del Ponte nuk ka pasur shumë sukses për të bindur qeveritë e Ballkanit t’i ekstradojnë të dyshuarit për krime lufte nga vendet e tyre.