Rais: zgjedhjet presidenciale ishin një ditë e jashtëzakonshme për Afganistanin - 2004-10-10

Këshilltarja e Presidentit Bush për Sigurinë Kombëtare, Kondoliza Rais thotë se beson që rezultatet e zgjedhjeve në Afganistan do të jenë të vlefshme, megjithë disa probleme teknike në qendrat e votimit.

Kondoliza Rais thotë se e shtuna ishte një ditë e jashtëzakonshme për Afganistanin, duke iu referuar zgjedhjeve të para presidenciale në atë vend.

“Këto zgjedhje janë përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe Komisioni afgan i zgjedhjeve, zgjedhje që pa dyshim do të pasqyrojnë pikëpamjet e popullit afgan,” tha këshilltarja e sigurimit kombëtar.

Por kandidatët që po konkurrojnë kundër presidentit të përkohshëm Hamid Karzai kanë bërë akuza për mashtrime.

Në një intervistë me televizionin Fox, zonja Rais e pranoi se kishte patur disa probleme teknike që duhet të zgjidhen. Ajo vuri në dukje se një shqetësim për bojën e përdorur për të shënuar duart e votuesve në mënyrë që të mos votonin dy herë, u zgjidh brenda disa orësh. Kandidatët e opozitës thanë se boja mund të fshihej kollaj.

“Mendoj se do të ketë një mekanizëm për të zgjidhur këto shqetësime që parashikohet në ligjin afgan të zgjedhjeve”.

Zonja Rais theksoi se zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe ata zgjedhorë të Afganistanit besojnë se problemet e votimeve nuk ishin aq të shumta sa të kishin ndikim tek rezultati i zgjedhjeve dhe tha se nuk kishte dyshime që votimet do të shpalleshin të ligjshme.

“Mendoj se rezultatet do të jenë të vlefshme. Sigurisht që probleme teknike ka ndonjëherë edhe në demokracitë më të konsoliduara, kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Dhe njerëzit kanë të drejtën të shprehin kundërshtimet e tyre,” tha zonja Rais.

Para zgjedhjeve në Afganistan, zyrtarët e administratës së presidentit Bush thanë se nuk prisnin që procesi të ishte i përkryer, por besonin se do të ishin të lira dhe të ndershme. Ata thanë se ata shpresojnë që të ndodhë e njëjta gjë me votimet e Irakut, në fillim të vitit të ardhshëm.