Cili do të jetë fati i koalicionit në Irak? - 2004-08-28

Sulmet terroriste, rrëmbimet dhe shtimi i shpenzimeve ushtarake i kanë bërë disa nga aleatët e Shteteve të Bashkuara të tërheqin forcat e tyre nga Iraku. Cilido që do ta fitojë garën presidenciale do të përballet me detyrën e vështirë për ta mbajtur të paprekur koalicionin e vullnetit dhe për të futur në këtë koalicion partnerë të rinj të cilët do të merrnin një pjesë të barrës për rindërtimin e Irakut. Jaroslaw Anders i Zërit të Amerikës, njofton.

Spanja tërhoqi të 1 mijë e 300 ushtarët e saj nga Iraku pas sulmit terrorist në Madrid në muajin mars. Të njëjtën gjë bënë Republika Dominikane, Nikaragua dhe Hondurasi. Filipinet njoftuan tërheqjen e tyre për të siguruar lirimin e një pengu civil. Edhe Polonia, pas Britanisë, që është aleatja më e vendosur e Amerikës në Irak, ka filluar të flasë rreth pakësimit të kontingjentit të saj. Gjatë një vizite të kohëve të fundit në Uashington, kryeministri i Polonisë Marek Belka nuk pranoi të komentojë rreth hollësive por la të kuptohet se angazhimi i vendit të tij është i kufizuar.

”Mendoj se askush nuk dëshiron të qendrojë në Irak përgjithmonë. Ajo që ne diskutuam ishte se si po zhvillohet situata në Irak, si po vazhdon procesi politik dhe si ndikon ai mbik natyrën dhe përmasat e pranisë sonë në Irak.”

Polonia ka premtuar se do t’i mbajë të 2 mijë e 500 ushtarët e saj në Irak të paktën deri në fund të këtij viti. Por analistët po shtrojnë pyetjen: a mos po shpërbëhet koalicioni i vullnetit?

”Nuk do të thosha se po shpërbëhet, por do të thosha se ai është i brishtë dhe se ndodhet në një moment kritik.”

Michele Flournoy është këshilltare e lartë pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Ajo thotë se administratës së ardhëshme do t’i duhet të punojë shumë për ta mbajtur koalicionin të bashkuar.

”Mendoj se me një diplomaci të mirë gjërat mund të përmirësohen në të ardhmen. Nëse gjendja e sigurisë përmirësohet, në se OKB-ja është e aftë të marrë mbi vete një rol më aktiv, nëse kemi një ndryshim të administratës, me një president të ri i cili të paraqiste kërkesën, të gjitha këto mund të ndihmonin që koalicioni të forcohet përsëri. ”

Por jo të gjithë mendojnë se koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara nuk i ka punët mirë. Nile Gardiner, specialist për marrëdhëniet anglo-americane pranë Fondacionit Heritage, thotë se megjithë dezertimet e disa vendeve, koalicioni mbetet i fortë dhe i aftë.

”Ka rëndësi të kemi parasysh sen në Irak ende ka 23 mijë forca ndërkombëtare dhe pritet të arrijnë trupa të tjera nga Korea e Jugut. Dhe, natyrisht, në koalicion përfaqësohen mbi 20 vende të Evropës, midis tyre 16 anëtare të Natos, nga 26 që ajo ka gjithsej, si dhe 11 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Pra ky është një koalicion me përmasa mjaft të mëdha nga çdo pikëpamje.”

Por Simon Serfaty, një tjetër këshilltar i lartë pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, mendon se koalicioni në Irak në formën e tanishme nuk është më i dobishëm.

”Ky koalicion e ka treguar veten të pamjaftueshëm për detyrën e rindërtimit, rehabilitimit dhe ripajtimit të shtetit irakian dhe me shtetin irakian. Prandaj koalicioni ka nevojë të zgjerohet dhe të thellohet.”

Presidenti Bush kohët e fundit u kërkoi aleatëve të Natos për të marrë më shumë përgjegjësi në Irak. Dy kundërshtaret më të mëdha evropiane të luftës në Irak, Gjermania dhe Franca, nuk e përfillën një kërkesë të tillë. Kandidati demokrat për president, John Kerry, thotë se diplomacia duhet të ishte më efektive.

Nile Gardiner i Fondacionit Heritage mendon se përpjekjet e John Kerry-t për të afruar Gjermaninë dhe Francën do të rezultojnë jo vetëm të kota por mund edhe të armiqësojnë aleatët e tanishëm.

”Mendoj se ai nuk po e përfill koalicionin e tanishëm ndërkombëtar, i cili është shumë i fortë. Ai pak a shumë pretendon se ky koalicion në fakt nuk ekziston, gjë që mendoj se do të krijojë shumë zemërim në vendet që janë aleate të ngushta të Amerikës, përfshirë ndoshta Britaninë, Italinë dhe Poloninë. ”

Ekspertja Michele Flournoy mendon se një administratë e re amerikane mund të ketë shanse më të mira për të siguruar më shumë aleatë por ajo dyshon që këta aleatë të rinj të mund të sjellin ndonjë kontribut të rëndësishëm.

”Ka vende që thjesht nuk duan ta ndihmojnë këtë administratë për shkak të mënyrës se si filloi lufta. Dhe unë mendoj se një ndryshim i administratës mund të dëmtojë llogaritë e tyre. Megjithatë, shumë prej tyre kanë edhe kufizime për shkak të angazhimit në rajone të tjerë si Ballkani, Afganistani e të tjera.”

Disa analistë besojnë se pavarësisht se kush e fiton garën presidenciale, Shtetet e Bashkuara do të përpiqen shumë shpejt të pakësojnë gradualisht praninë e tyre ushtarake në Irak, nëse gjendja e sigurisë dhe ajo politike përmirësohen. Të tjerë mendojnë se Iraku do të kërkojë një prani të konsiderueshme amerikane dhe ndërkombëtare për shumë vite në të ardhmen. Megjithatë, shumica e amalistëve janë dakord me pohimin se presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara do t’i duhet të bindë aleatët se një Irak i begatë dhe paqësor është në interes të të gjithëve.