Suxho: mesazhi im për të rinjtë e Shqipërisë - Jeta ka një të ardhme - 2004-08-25

Ekipi olimpik i volejbollistëve amerikanë po paraqitet mjaft mirë në Athinë dhe një prej lojtarëve të tij, është shqiptaro-amerikani, Donald Suxho që luan në rolin e organizatorit. Talentit të tij të lindur i shtohen të dhënat fizike dhe fakti që është i biri i ish-trajnerit të volejbollit të Skenderbeut të Korçës, Petraq Suxho, i cili për vite me radhë është treguar mjaft kërkues ndaj të birit. Të hënën Donaldi luajti kundër një ekipi mjaft të fortë, Brazilit, dhe mërkurën ekzistonte mundësia që të luante kundër një favoriti tjetër për medaljen e artë, ekipit të Greqisë.

Zëri i Amerikës: Donald, po e fillojme nga ndeshja me Brazilin, në të cilën ju luajtët gjatë të gjithë lojës. A mund të na tregoni si shkoi rrjedha e ndeshjes dhe çfarë emocionesh provuat?

Donald Suxho: Ishte një gjë shumë e madhe për mua të luaja, sepse pasuesi i parë ka 14 vjet eksperiencë dhe ka luajtur në 2-3 Lojra Olimpike dhe është një pasues shumë mirë, këshutë kur u futa dje në ndeshje qe një arritje shumë e madhe. Me një fjalë, isha i lumtur të luaja kundër Brazilit, që është një nga ekipet më të mira në botë.

Zëri i Amerikës: Cila është përshtypja për grupin me për të cilin u ndeshën Shtetet e Bashkuara dhe të mërkurën me sa di unë do të ndesheni me Greqinë, ju a do të luani?

Donald Suxho: Grupi ynë ishte një grup shumë i vështirë, të them të drejtën dhe ishim shumë të çuditur që na futën në atë grup, sepse kishim katër ekipet më të mira në botë. Pra, ishte një grup shumë-shumë i vështirë. Grupi tjetër ishte një çikë më i lehtë, por neve, kur e pamë grupin, nuk ishim të frikësuar, ishim shumë të lumtur, sepse ne duam të luajmë kundër ekipeve më të mira në botë, se ajo është e vetmja rrugë që të bëhesh ekip i mirë dhe të fitosh. Ne tani kemi ndeshjen me Greqinë dhe është një shans shumë i madh për ne të kalojmë në gjysmëfinale, sepse Greqia është shumë e mirë këtë vit. Skuadra greke po luan këtë vit me disa lojtarë shumë të mëdhenj dhe të fortë, por që ne do t’i mundim patjetër.

Zëri i Amerikës: A do luani ju?

Donald Suxho: S’e besoj të luaj unë, por unë hyj që të marr pjesë në momente kritike, kryej shërbim të mirë dhe trajneri ka shumë besim tek mua. Unë jam gati dhe trajneri më ka thënë se në qoftë se loja nuk ecën mirë në setin e parë, të dytë, ti do të hysh patjetër.

Zëri i Amerikës: A jeni takuar me shqiptarë, sportistë, apo sportdashës?

Donald Suxho: Po, unë u takova me disa që kanë ardhur këtu; është një notare, një peshngritës, një mundës, Fidel Ylli, quhet ai më duket, që është edhe kryetar i delegacionit shqiptar në lojra. Kam takuar disa trajnerë, po ashtu kam takuar edhe disa shqiptarë që rrinë në Athinë, që kanë ardhur dhe që më kanë takuar. Jam shumë i lumtur që pashë flamurin shqiptar të hynte në ceremoninë e parë dhe isha shumë krenar që pashë që ishin 10 lojtarë shqiptarë nga Shqipëria që përfaqësonin shtetin tonë. Më vjen shumë keq që s’kam shumë mundësi të ndihmoj Shqipërinë për volejboll, por neve nuk patëm shanse dhe kështu është jeta; kështu që jam i lumtur që ndodhem në Amerikë, por jam krenar që takova shqiptarë; kam llafosur, kemi biseduar, do të vete nëpër apartamentet ku ata rrinë këtu në fshatin olimpik, do të shkoj nesër dhe pasnesër të kaloj ca kohë me ata të gjithë. Ka qenë një ekperiencë shumë e mirë.

Zëri i Amerikës: Cila është biografia sportive e Donald Suxhos?

Donald Suxho: Unë u rrita në Korçë. Fillova të luaj volejboll kur isha 10 vjeç. Babai im, Petrika Suxho, ishte trajneri i Skënderbut, një ekip profesionist në Korçë dhe ne kishim traditë shumë të mirë me volejbollin. Babai më mori dhe më bëri stërvitje për 8 vjet, deri sa isha 17 vjeç. Luajta për ekipin kombëtar të të rinjve për tre vjet. Vitin e dytë ne zumë vend të dytë, për kupën e Ballkanit. Ishte një arritje shumë e madhe dhe kishim një ekip shumë të mirë. Luajta me ekipin ”Studenti” për Kupën e Evropës, me trajner Ylli Tomorrin. Ai akoma është trajner i ”Sudentit”. Kur isha 18 vjeç unë ika në Amerikë, sepse gjyshja ime kishte lindur në Filadelfia dhe u bashkova me familjen. Erdha këtu në Amerikë, në Boston për 8 muaj dhe pastaj shkova në Kaliforni të vazhdoja shkollën në ”University of Southern Kalifornia” në Los Anxhelos. Aty unë luajta për 4 vjet, isha kapiten i ekipit për 2 vjet. Pasi mbarova kolegjin, unë duhej të merrja pashaportën ameirkane që të luaja me me ekipin kombëtar. U llafosa me trajnerin e kombëtares Doug Bill dhe ai më ndihmoi një çikë dhe shkolla ime në Los Anxhelos më ndihmoi që të merrja më shpejt pasaportën amerikane që të hyja në ekipin e kombëtares. Që në vitin 2001, pas lojrave në Sidnei, unë kam qenë me Kombëtaren e Amerikës, me të cilën kam luajtur për 4 vjet; kam luajtur dy vjet në Evropë, një vit luajta në Poloni, ku zumë vend të katër dhe vjet luajta në Turqi, me një ekip, që zumë vend të parë.

Zëri i Amerikës: Në fund të kësaj interviste, a dëshironi t’i lini një mesazh sportdashësve në përgjithësi dhe pse, jo, bashkëqytetarëve tuaj nga Korça?

Donald Suxho: Mesazhi im është për të rinjtë e Korçës, ose për të rinjtë e Shqipërisë, që jeta ka të ardhme dhe të tërë duhet të punojnë shumë fort që të arrijnë diçka të mirë. E di që në Shqipëri është tani konditat janë shumë të vështira, por kam dëgjuar që gjërat tani po ndryshojnë dhe po bëhet shumë më mirë. Kam shumë dëshirë që t’i shikoj të rinjtë e Korçës, të Tiranës, të Shqipërisë, të dalin mirë, të jenë të sukseshëm, të vazhdojnë shkollën, të vazhdojnë sportet, sepse në Shqipëri ka shumë njerëz të zgjuar dhe shumë të fortë. Po të punojnë shumë dhe po të punojnë me djersë, do të bëjnë gjëra të mëdha dhe për këtë kam besim.