Soren Jessen-Petersen: statusi i Kosovës duhet të zgjidhet për të sjellë stabilitet në rajonin e Ballkanit - 2004-08-15

Soren Jessen-Petersen, shefi i ri i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, filloi detyrën e tij në Prishtinë, duke shprehur bindjen se Kosova është pjesa e fundit në fjalëkryqin që e çon Ballkanin perëndimor nga konfliktet e viteve 90 drejt stabilizimit dhe integrimit evropian. Zoti Petersen tha se do të punojë me të gjithë ata që janë të interesuar ta çojnë Kosovën drejt së ardhmes.

Kryeadministratori i ri i Kosovës, danezi Sřren Jessen-Petersen mbrriti të dielën pasdite në Prishtinë duke filluar kështu detyrën zyrtare pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, finlandezit Harri Hollkeri, i cili u largua duke cituar arsye shëndetsore.

Zoti Petersen nënvizoi sapo mbrriti në aeroportin e Sllatinës, se e kishte pranuar këtë detyrë sepse beson fuqishëm që Kosova është pjesa e fundit në fjalëkryqin që e çon Ballkanin perëndimor nga konfliktet e viteve 90 drejt normalizimit, stabilizimit dhe integrimit evropian.

Zoti Petersen tha se nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim në Ballkanin perëndimor pa zgjidhjen e cëshjes së Kosovës. Stabiliteti, normaliteti, qartësimi i statusit të Kosovës do të jetë me përfitim jo vetëm për Kosovën dhe banorët e saj, por për të gjithë rajonin, theksoi kryeadministratori i ri.

Zoti Petersen theksoi gjithashtu se synon të punojë shumë me kolegët e tij në administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me autoritetet e përkohshme dhe të gjithë ata që janë të interesuar për ta çuar Kosovën drejt së ardhmes, të cilën siç vuri në dukje ai, populli i Kosovës e meriton dhe ka nevojë për të.

Zoti Sorensen pritet të takohet nesër në Prishtinë me presidentin Ibrahim Rugova dhe kryeministrin Bajram Rexhepi ndërkohë që të hënën dhe të martën do të vazhdojë takimet me udhëheqësit e tjerë shqiptarë dhe serbë të Kosovës.

Kryeministri Bajram Rexhepi është shprehur gjatë fundjavës se beson që do të ketë një bashkëpunim shumë të mirë me shefin e ri të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen dhe se proceset do të lëvizin në drejtimin e duhur.

Soren Jessen Petersen, është kryeadministratori i gjashtë i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe do të ketë përpara një sërë punësh mjaft të rëndësishme, siç janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit, dhe hapja e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës nga mesi i vitit 2005, nëse Kosova plotëson standartet e vëna nga bashkësia ndërkombëtare.