Maqedoni: Parlamenti miraton ligjin për ndarjen territoriale - 2004-08-12

Deputetët e partive të koalicionit qeveritar kanë mbështetur me shumicë votash miratimin e ligjit për ndarjen territoriale të vendit.

Përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar thanë se plani i ri i decentralizimit është pjesa më e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Rafiz Haliti tha se miratimi i këtij plani është një arritje e rëndësishme për Maqedoninë dhe për shqiptarët në këtë shtet.

"Me këtë ligj ruhet interesi shqiptar, me ç'rast përdorimi i gjuhës shqipe do të jetë prej Strugës e deri në Kumanovë. Për ne është një arritje shumë e madhe, për shkak se përmisohen të gjitha gabimet e së kaluarës", -theksoi deputeti Haliti.

Zëdhënësi i Lidhjes Socialdemokrate maqedonase, Boris Kondarko theksoi se me këtë ligj të decentralizimit mundësohet një e ardhme e re për zhvillimin ekonomik të vendit.

Zoti Kondarko tha se ndarja e re territoriale në bazë të Marrëveshjes së Ohrit shpejton procesin e integrimit të vendit në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase dhe ajo shqiptare kanë kundërshtuar planin qeveritar të decentralizimit.

Partia Demokratike Shqiptare ka bërë të ditur se ky projekt i ndarjes së re territoriale rrezikon interesat e shqiptarëve në Shkup dhe në disa komuna të tjera.

Përfaqësuesi i kësaj partie, Zamir Dika tha se me ligjin e ri formohen disa enklava maqedonase në territoret e banuara me popullsi shqiptare.

Partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE vlerëson se plani qeveritar i decentralizimit rrezikon ndarjen e vendit.

Nënkryetarja e kësaj partie, Ganka Samoilova-Cvetanova theksoi se qeveria me këtë plan ka anashkaluar interesat e qytetarëve maqedonas dhe ka nxitur tensione në disa komuna shumëetnike.

Ligji i ri i decentralizimit parasheh që numri i tanishëm i komunave prej 123 të pakësohet në 80. Sipas këtij ligji, në Shkup gjuha shqipe do të jetë zyrtare, Struga do të ketë kufij të ri me çrast shqiptarët do të përbëjnë shumicën e popullsisë. Kërçova deri në vitin 2008 do të mbetet në kufijtë aktualë, kurse pas këtyre katër viteve edhe këtij qyteti do t'i bashkangjiten katër komuna të vogla rurale që do të rrisin numrin e popullsisë shqiptare.

Ndërkohë, në qytetet e Strugës dhe të Kërçovës, shtabet e partive opozitare maqedonase dhe të subjekteve të ndryshme qytetare kanë njoftuar se do të vazhdojnë me protesta për të kundërshtuar planin e ri qeveritar të decentralizimit.

Parlamenti maqedonas sot po vazhdon debatin për ligjin e veçantë për organizimin e ri territorial të Shkupit.