Tani që të dy kandidatët po bëjnë fushatë anë e mbanë vendit, Presidenti Bush dhe Senatori Kerry janë të vendosur që t’i bindin votuesit për aftësitë e tyre për të mbrojtur amerikanët nga terrorizmi.
“Me terroristët nuk mund të zhvillosh një bisedë kuptim-plotë. Me ata nuk mund të zhvillosh negociata. Me ta nuk mund të shpresosh se do të arrihet sukses. Ata duhet patjetër të nxirren para drejtsisë,” tha Presidenti Bush. Kurse Senatori Kerry tha.
“Unë do të udhëheq Amerikën në luftë me mësimet që kam nxjerr nga lufta. Unë e kam mbrojtur këtë vend si djal i ri, këtë vend do ta mbrojë edhe si President i Shteteve të Bashkuara,” tha kandidati demokrat për president.
Presidenti Bush gëzon mbështetje më të mëdha në anketat e opinionit publik lidhur me çështjen se cili kandidat do ta luftonte më mirë terrorizmin.
Analisti i pavarur, Stuard Rothenberg tha se bazuar pikërisht mbi këtë çështje shumë votues do të vendosin nëse do të rizgjedhin apo jo presidentin Bush.
“Mendoj se nëse votuesit e vlerësojnë Presidentin Bush në përgjithësi bazuar në çështjen e terrorizmit, atëherë unë them se ai gëzon më shumë mbështetje. Por nëse votuesit e shikojnë atë në mënyrë specifike lidhur me Irakun, numrin e të vrarëve dhe shpërthimet e makinave bombë e gjëra të tilla, atëherë presidenti Bush nuk duket aq mirë.”
Senatori Kerry e kaloi pjesen më të madhe të Kuvendit të Partisë Demokrate, duke u përpjekur që të bindë publikun se ai do të ishte komandant më i efektshëm i forcave të armatosura se sa Presidenti Bush për shkak të përvojës së tij në Luftën e Vietnamit.
Disa anketa të reja tregojnë se Senatori nuk përfitoi shumë nga kuvendi i Partisë së tij dhe se gara në përgjithësi është ende e barabartë.
Por Vaughn Ververs, redaktor i botimi politik thotë se nëse analizohen me kujdes anketat e fundit të opinionit publik do të shihet se Senatori Kerry ka arritur të barazohet me Presidentin Bush në çështjen se cili prej tyre do të ishte komandant më i mirë i forcave të armatosura dhe se cili prej tyre do të bënte punë më të mirë në luftë kundër terrorizmit.
“Kerry me të vërtetë ka bërë një hap përpara. Në disa nga këto anketa tashti ai shikohet si komandant më i aftë se Presidenti Bush. Ai tani është shumë pak prapa Presidentin Bush për sa i përket luftës kundër terrorizmit.”
Paralajmërimi për sulme të mundshme terroriste në këtë kohë dhe fakti se kjo mundësi mund të jetë e vërtetë, pjesërisht bazuar në informata të para disa vjetësh, ka shkaktuar një debat midis përkrahsëve të Presidenti Bush dhe senatorit Kerry nëse ky paralajmërim mund të përdoret për qëllime politike.
Një shkëmbim i tillë u bë gjatë një programi të një rrjeti televiziv publik ku shikuesit mund të telefonojnë. Njëri prej tyre tha.
“Që nga 11 shtatori i vitit 2001 neve e dimë se jemi në shënjester të terroristëve dhe njerëzit duhet ta kuptojnë se paralajmërimin e fundit republikanët e kanë bërë me qëllim.”
Kurse një tjetër shikues u shpreh kështu:
“Mendoj se këto thirrje bashkë me deklaratat tyre se gjoja ky paralajmërim është planifikuar nga Prsidenti Bush janë qesharake dhe u them atyre që këto paralajmërime t’i marrin më me seriozitet. Duket qartë se edhe Senatori Kerry po i beson këtij paralajmërimi sepse ai i ka bërë thirrje kongresit që të kthehet para kohes dhe të shqyrtojë rekomandimet e komisionit që bëri hetimet lidhur me sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001.”
Të dy kandidatët pa humbur kohë kanë mbështetur rekomandimet e komisionit që ka bërë hetime për sulmet e 11 shtatorit. Presidenti Bush tha se mbështet krijimin e një drejtorie të zbulimit kombëtar për të bashkërenduar të dhënat e zbulimit.
Nga ana e tij, Senatori Kerry tha se anëtarët e kongresit duhet të kthehen menjëherë nga pushimet verore për miratimin e rekomandimeve kryesore të komisionit që bëri hetime rreth sulmeve të 11 shtatorit 2001.
//ze//