Cili është Senatori Xhon Eduards? - 2004-07-06

Senatori Xhon Eduards, që u zgjodh të martën nga kandidati i pritshëm demokrat për president Xhon Kerri për postin e nënpresidentit, është një avokat i suksesshëm, që u konsiderua si një ndër yjet në rritje të politikës, kur u zgjodh para 6 vjetësh për në Senat. Senatori nga Karolina e Veriut, doli si demokrati numër dy gjatë zgjedhjeve paraprake, për të sfiduar presidentin Bush në zgjedhjet e nëntorit. Por cili është ky politikan?

Senatori Eduards shihet si një figurë karizmatike dhe si një politikan energjik, megjithëse ai nuk arriti të fitonte mbështetjen e duhur për të dalë mbi Senatorin Kerri gjatë zgjedhjeve paraprake mes demokratëve.

Ai fitoi vetëm në një shtet, në shtetin e tij të lindjes, Karolinën e Jugut dhe më pas u tërhoq nga gara në muajin mars. Por që atëhere ai ka zhvilluar fushatë intensive në mbështetje të ish rivalit të tij brenda partisë, Senatorit Kerri.

“Njeriu që do të na nxjerrë nga kaosi dhe do të na sjellë prapë shpresën, shpresën se në Amerikë gjithshka është e mundur, dhe njeriu që do të ndërtojë një Amerikë që është për të gjithë, është presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, Senatori Xhon Kerri”

Senatori Eduards e ka kritikuar vazhdimisht Presidentin Bush se, siç shprehet ai, ka krijuar dy Amerika, një për të pasurit dhe një për të varfërit.

Senatori 51 vjeçar, që në ditët që punonte si avokat, e ka portretizuar veten si kampion të amerikanëve të thjeshtë. Gjatë dy dekadave si avokat mbrojtës, ai ka përfaqësuar qytetarët në ankesat e tyre ndaj korporatave të mëdha dhe spitaleve dhe në këtë proces ai u pasurua.

Përvoja si avokat e ndihmoi atë të bëhej një folës i shkathët dhe një debatues i fortë, cilësi që do t’i duhen shumë kur të zhvillojë debat elektoral në tetor me nën presidentin Dik Çeni.

Kritikët e zotit Eduards thonë se atij i mungon përvoja politike, duke vënë në dukje se ai ka shërbyer vetëm një mandat në Senat dhe nuk ka asnjë përvojë në politikën e jashtme.

Duke u përpjekur të qetësojë këto kritika, Senatori Kerri, duke shpallur zgjedhjen e tij për nën-president, theksoi shërbimin e zotit Eduards në Komisionin e Senatit për Çështjet e Zbulimit.

“Si anëtar i Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit dhe si një prej politikanëve në krye të luftës kundër bio-terrorizmit, si një njeri që i kupton rreziqet që na kërcënojnë sot, ai ka të njejtin angazhim të patundur sikurse edhe unë për të patur një ushtri të fortë, që është më e mira në botë, por po ashtu për të rikrijuar dhe rindërtuar aleanca të reja që e bëjnë Amerikën më të fortë.”

Senatori Kerri dhe zoti Eduards, janë dakort për shumicën e çështjeve politike. Të dy e mbështetën vendimin për luftën në Irak, të dy votuan kundër paketës prej 87 miliardë dollarësh për shpenzimet në Irak dhe Afganistan.

Të dy e kritikuan kredibilitetin e Presidentit Bush kur në Irak nuk u gjetën armë të shkatërrimit në masë, një nga arësyet kryesore se përse Shtetet e Bashkuara shkuan në luftë.

Senatori Eduards bëri këto komente kur Drejtori i CIA-s që po largohet nga kjo detyrë, Xhorxh Tenet, e pranoi se faji ishte i informacioneve të pasakta të zbulimit.

“Unë kam disa shqetësime kryesore se këtu bëhet fjalë për besueshmërinë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Kur Presidenti flet, ai flet në emër të popullit amerikan. George Tenet e pranoi përgjegjësinë dhe kjo është gjë e mirë. Por në fund të fundit, kur presidenti flet, ai duhet të mbajë përgjegjësi për ato që thotë. Përgjegjësia nuk është e CIA-s, nuk është e askujt tjetër, ajo është përgjegjësia e presidentit”

Por ka edhe çështje për të cilat zoti Eduards dhe zoti Kerri nuk janë dakort, siç janë problemet tregëtare.

Senatori Kerri votoi në favor të Marrëveshjes për Tregëtinë në Amerikën e Veriut. Ndërsa Senatori Eduards, i cili u zgjodh në Senat pasi ajo ishte miratuar, bëri fushatë kundër kësaj marrëveshjeje, duke thënë se ajo do të sillte humbje të vendeve të punës.

Në politikën e brendshme, zoti Kerri është kundër dënimit me vdekje, ndërsa zoti Eduards e mbështet atë. Zoti Kerri votoi kundër ligjit që ndalon abortin në muajt e fundit të shtazanësisë, ndërsa zoti Eduards abstenoi në këtë votim. Ligji u miratua nga Kongresi.

Senatori Eduards vjen nga një familje punëtore. I ati i tij punonte në një fabrike tekstilesh. Dhe shpalljen e kandidaturës së tij për president ai e bëri në njerën prej fabrikave ku kishte punuar i ati, por që tani është e mbyllur. Senatori Edwards dhe e shoqja e tij Elizabeth kanë tre fëmijë. Fëmija i kartët, djalë, humbi jetën në moshën 16 vjeçare në një aksident automobilistik në vitin 1996.

//ax//