Gjyqi ndaj Sadamit - "Gjyqi i shekullit" - 2004-07-04

Kryeministri i Irakut Iyad Allawi thekson rëndësinë e nxjerrjes së Sadamit dhe anëtarëve të tjerë të regjimit të tij para gjyqit:

"Duam t’i tregojmë botës se qeveria e re e Irakut është serioze në përmbushjen e misionit të saj, se synon t’i futet punës për stabilizimin e vendit për ta çuar Irakun drejt demokracisë dhe paqes",- tha zoti Allawi.

Por, përveç kësaj, shumë vetë e shohin gjyqin edhe si rruga e nevojshme drejt ripajtimit. Rend Rahim është përfaqësuese e Irakut në Washington:

"Gjithmonë kam qenë i mendimit se sa më parë që ta sjellim Sadamin para gjyqit, aq më mirë do të jetë për Irakun, pasi krijohet ndjenja e një procesi spastrimi dhe pajtimi që do të fillojë gjatë gjyqit. Do të jetë një moment shumë traumatik për Irakun, por është si të thuash procesi i kundërt i traumës dhe Iraku duhet ta kalojë këtë",- tha zonja Rahim.

Profesori i drejtësisë në Universitetin Case Western Michael Scharf mendon se gjyqi do të ketë ndikim pozitiv përtej kufijve të Irakut:

Gjyqi i Sadamit mund të shënojë edhe një arritje tjetër historike, pasi do të krijojë një historik të masakrave të tij. Pra, njerëzit në rajon që ishin objekt i propagandës dhe nuk e kishin të qartë se ç’po ndodhte, do t’i kuptojnë rrethanat në të cilat Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre u detyruan të ndërhyjnë dhe se sa shumë do të ndryshojë sistemi i ri nga ai i vjetri në fushën e të drejtave të njeriut.

Megjithatë, ekspertët ligjorë marrin si shembull gjyqin e ish presidentit jugosllav Millosheviç dhe thonë me shqetësim se Sadam Huseini mund ta shfrytëzojë këtë gjyq si tribunë për të nxitur trazira civile.

Kur doli të enjten para gjyqit, ai tregoi disa prej karakteristikave të tij fodulle, sidomos kur iu përgjigj akuzës për pushtimin e Kuvajtit në vitin 1990:

"Akuza e shtate kundër Saddam Huseinit eshte ngritur kundër presidentit të Irakut, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Ushtria hyri në Kuvajt, por përse ngrihen akuzat kundër një zyrtari, i cili po përmbushte detyrën e tij? Si mund të ndëshkoni dikë, posti i të cilit e bën të paprekshëm nga paditë ligjore? Këto të drejta ia garanton atij kushtetuta",- tha Sadami nëpërmjet përkthyesit ditën e enjte.

Autoritetet gjyqësore të Irakut këmbëngulin se ish-udhëheqësi irakian do të ketë mundësi të këshillohet me një avokat lidhur me akuzat për pushtimin e Kuvajtit, luftën 8-vjeçare me Iranin dhe sulmin me armë kimike ndaj popullsisë kurde në vitin 1988.

Por vëzhgues të të drejtave të njeriut këmbëngulin se procesi duhet të jetë i rregullt dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare ligjore. Kryeministri Allawi u përgjigjet këtyre shqetësimeve:

"Do të jetë një gjyq i hapur. Do të jetë një gjykatë e hapur,- tha zoti Allawi.

Duke u mbështetur në përvojën e gjykatave të tjera që kanë sjellë para drejtësisë ish-udhëheqës të lartë për veprimet e tyre, analistët theksojnë rëndësinë e një procesi të rregullt dhe publik si pjesë e procesit të rehabilitimit të Irakut.// lk //