Kryengritja e Varshavës dhe tradhtia ruse - 2004-06-13

Lufta e Dytë Botërore vërtet mund të ketë qenë ”një luftë e mirë”, siç shprehen shumë njerëz, por ajo ka patur gjithashtu aspektet e saj të këqia. Një prej këtyre aspekteve kishte të bënte me kryengritjen e Varshavës të vitit 1944 të organizuar nga rezistenca polake dhe që u shtyp nga nazistët gjatë 62 ditë luftimesh të ashpra ndërkohë që trupat sovjetike qendruan duarkryq. Populli polak nuk ia ka falur këtë Rusisë, dhe deri në një farë mase as Amerikës që nuk i erdhën në ndihmë.

Forcat amerikane dhe britanike përparonin nga perëndimi, sovjetikët nga lindja. Dukej se kishte ardhur koha e përshtatëshme që rezistenca polake, më e madhja në çdonjërin nga vendet e pushtuara nga nazizmi, të ngrihej kundër shtypësit. Më 1 gusht 1944, beteja për çlirimin e Varshavës filloi.

Ishte një luftë e pabarabartë. Megjithëse e organizuar mirë, lëvizja ilegale polake as që mund të krahasaohej me forcat gjermane të armatosura mirë. Nga 40 mijë luftëtarët polakë, vetëm një e katërta e tyre kishin armë të përshtatëshme. Të tjerët ishin të armatosur vetëm me gurë dhe tulla.

Ata i kishin varur shpresat tek ndihma e aleatëve. Ndërkohë që forcat aleate po i afroheshin qytetit, Stalini u bëri thirrje polakëve të ngriheshin. Të njëjtën gjë bëri edhe presidenti amerikan Franklin Roosevelt. Por kur trupat sovjetike arritën në periferi të Varshavës, ato u ndalën aty.

U ndalën dhe nuk bënë asgjë, thotë ish këshilltari i lartë i politikës së jashtëme amerikane, Zbigniew Brzezinski në një dokumentar televiziv të rrjetit CNN.

”Ata jo vetëm që rrinin dhe shikonin se si nazistët masakronin kryengritësit dhe vrisnin popullatën civile, por për shumë javë me radhë, na penguan edhe ne - amerikanëve dhe britanikëve - që t’u jepnim ndihmë kryengritësve. Është fakt se Stalini nuk dëshironte ta shihte Varshavën të çliruar nga polakët. Ai preferonte ta shihte atë të shkatërruar,” thotë zoti Brzezinski.

Duke planifikuar pushtimin e Polonisë pas luftës, Stalini donte që rezistenca polake të mos e pengonte. Prandaj, ai refuzoi ofertën amerikane dhe britanike për të ndihmuar. Më në fund, i nervozuar, Çërçilli kërkoi që ndihma të dërgohej, megjithë kundërshtimet e Stalinit, por Presidenti Ruzvelt nuk ishte dakord dhe dukej se nuk e kishte marrë problemin seriozisht.

Po në dokumentarin e CNN-it, historiani Norman Davies thotë se fuqitë e mëdha humbën një rast mjaft të rëndësishëm:

”Aleatët perëndimorë kishin në dorë shumë karta që mund të kishin luajtur. Ata e furnizonin Bashkiminj Sovjetik me sasi kolosale pajisjes ushtarake dhe nëse presidenti amerikan do të kishte ndërhyrë, përgjigja e sovjetikëve mund të kishte qenë pozitive.”

Por Brian Porter, profesor i historisë në Universitetin e Miçiganit, dyshon tek ky konkluzion. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ai thotë se presidenti në fakt i kishte duart të lidhura.

”Stalini nuk do të lejonte që polakëve t’u shkonte ndonjë ndihmë, pas fillimit të kryengritjes. Përsa u përket amerikanëve, edhe sikur ata të ishin përpjekur të ndihmonin, vështirë të imagjinosh se çfarë roli mund të kishte luajtur kjo. Duhet të kujtojmë se lufta nuk kishte mbaruar ende dhe megjithëse fitorja dukej e sigurt, akoma kishte luftime. Veç kësaj, Japonia ende nuk ishte mundur.”

Ndërkohë, polakët luftonin me të gjitha forcat për çlirimin e qytetit të tyre. Të ritur në kulm, ata hanin çdo kalë apo qen që gjenin dhe pinin ujin që gjenin në gropat e rrugës.

Ndërkohë që po afronte fundi, polakët shfrytëzuan kanalizimet e qytetit për të shpëtuar, duke notuar nëpër ujin e fëlliqur që u vinte deri në gjoks.

Më shumë se 200 mijë polakë humbën jetën në këtë kryengritje, shumica civilë. Profesor Davies thotë se çdo ditë të kryengritjes vdisnin po aq polakë sa u vranë amerikanë gjatë sulmeve terroriste në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Shtrohet pyetja: a mos u nxituan polakët kur dihej se si ishin sjellë rusët më parë me vendin e tyre?

Rusia kishte pushtuar një pjesë të mirë të Polonisë nga viti 1795 deri në vitin 1918, thotë Profesor Porter, dhe ajo iu bashkua Hitlerit kur ai filloi Luftën e Dytë Botërore.

”Ne në Shtetet e Bashkuara zakonisht kujtojmë pushtimin gjerman të Polonisë. Kurse polakët e kujtojnë këtë më tepër si një pushtim gjerman dhe rus të vendit të tyre. Gjermanët hynë në Poloni më 1 shtator, por vetëm dy javë më pas, rusët hynë nga ana tjetër pasi kishin nënshkruar një traktat midis Stalinit dhe Hitlerit për ndarjen e Polonisë midis tyre.”

Hitleri e shfarosi sa mundi klasën e edukuar polake. Kurse rusët, thotë profesori, shfarosën pjesën e mbetur.

Në konferencën e Teheranit të fuqive të mëdha më 1943, Ruzvelti dhe Çërçilli ia lanë më shumë se një të tretën e vendit Stalinit. Polakët nuk u pyetën, madje as u informuan për sa po ndodhte.

Pas kësaj, sovjetikët e pushtuan Poloninë dhe e mbajtën të pushtuar për 44 vjet deri sa lindi rezistenca e cila këtë herë fitoi.//ii