Bush:  Shtetet e Bashkuara do t’ia transferojë plotësisht sovranitetin një qeverie kalimtare në Irak në fund të qershorit. - 2004-05-28

Presidenti Bush është përpjekur të zhdukë dyshimet ndërkombëtare rreth tranzicionit politik në Irak, duke u zotuar se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara do t’ia transferojë plotësisht sovranitetin një qeverie kalimtare në Irak në fund të qershorit.

Presidenti Bush e bëri këtë premtim sot në Shtëpinë e Bardhë gjatë bisedimeve me kryeministrin danez Anders Fogh Rasmussen dhe në një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Presisdenti Bush tha gjithashtu se po bëhet përparim në arritjen e një marrëveshjeje për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku njihet transferimi i sovranitetit në Irak dhe jepet autorizimi për një forcë ndërkombëtare sigurie të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në këtë vend.

Presidenti tha se ai dhe udhëheqësi rus ranë dakord për të bashkëpunuar për një rezolutë në emër të popullit irakian dhe që të gjejnë një zgjidhje që do do të ndihmonte në vendosjen e sigurisë në Irak, në mënyrë që populli i tij të mund të zhvillojë zgjedhjet.

Në komentet e tij në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri Rasmussen i Danimarkës tha se trupat e vendit të tij do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak përsa kohë që qeveria kalimtare e Irakut të kërkojë praninë e tyre. Zoti Rasmussen përshëndeti gjithashtu garancinë që dhanë Shtetet e Bashkuara se rastet e abuzimit të të burgosurve irakianë nga trupat amerikane do të hetohen plotësisht dhe përgjegjësit do të përgjigjen plotësisht.