Marrëdhëniet amerikano-ruse:  Cila do të jetë e ardhmja e tyre - 2004-05-10

Shpërthimi i së dielës në Grozni ishte një goditje për pohimet e Presidentit rus Vladimir Putin se konflikti i gjatë në Çeçeni ka marrë fund. Në fakt, Presidenti Putin, i cili sapo ka filluar zyrtarisht mandatin e tij të dytë në këtë post, duket se do të përballet me një botë ndryshe nga ajo kur mori detyrën katër vjet më parë.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit, 2001 i ndryshuan thellësisht marrëdhëniet e zotit Putin me Perëndimin. Ato gjithashtu forcuan më tej lidhjet e tij me presidentin Bush. Vetëm pak orë pas takimit të parë midis tyre, presidenti Bush ishte i bindur se zoti Putin ishte njeriu me të cilin mund të punonte.

“E pashë në sy dhe zbulova që ishte i drejtë dhe besnikë. Isha në gjendje të kuptoja shpirtin e tij”, tha presidenti Bush.

Ajo që u arrit në takimin e parë në Slloveni, u afirmua tre muaj më vonë kur presidenti rus u bë udhëheqësi i parë i huaj të telefononte Shtëpinë e Bardhë pas sulmeve terroriste në New York dhe Washington. Gjatë muajve në vazhdim, Rusia u bë një aleate e vlefshme në luftën kundër terrorizmit duke ndarë informacionet e zbulimit në Afganistan dhe duke lejuar trupat amerikane të pozicionoheshin në disa nga ish republikat sovjetike në Azinë qëndrore. Miqësia e thellë u duk qartë gjatë një takimi të nivelit të lartë në fermën e zotit Bush në Teksas, në vjeshtën e vitit 2001, takim që ish ambasadori amerikan në Rusi, James Collins e quajti si të jashtëzakonshëm.

“Të dyja vendet afirmuan për herë të parë se nuk ishin armike të njëra tjetrës. Kjo ishte hera e parë që zoti Putin e bëri këtë një politikë zyrtare”, thotë ambasadori Collins.

Në takimin e nivelit të lartë, kjo deklaratë u bë me shkrim. Por qysh atëherë marrëdhëniet u ftohën pak ndërsa të dy vendet kishin mosmarrëveshje mbi luftën në Irak. Ambasadori Collins thotë se kjo çështje ka qënë pengesa më e madhe në realizimin e premtimit në takimin e Teksasit.

“Kjo ia ka bërë shumë më të vështirë palës ruse që të vazhdojë me po aq forcë sa shpresonte realizimin e disa prej qëllimeve dhe deklaratave të bëra në atë takim të nivelit të lartë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për amerikanët”.

Udhëheqësit politikë në të dyja vendet besojnë se mosmarrëveshjet mbi Irakun janë kapërcyer në pjesën më të madhe dhe se interesat e përbashkëta strategjike të dy vendeve kërkojnë bashkëpunim për problemet më të rëndësishme ndërkombëtare. Këtu përfshihet mospërhapja e armëve bërthamore, paqja në Lindjen e Mesme dhe lufta kundër terrorizmit. Por pavarësisht shumë fushave të bashkëpunimit ndërkombëtar, Michael McFaul i Universitetit Stanford, një komentues i njohur për Rusinë, beson se çështja më e rëndësishme në mandatin e dytë të presidentit Putin për Shtetet e Bashkuara do të jetë autoritarizmi në rritje i Rusisë.

"Në vështrimin afatgjatë, kjo është çështja më strategjike, e vetmja çështje strategjike në marrëdhëniet dypalëshe".

Ai shpreh shqetësim se konsolidimi i pushtetit nga zoti Putin dhe dhunimi i institucioneve demokratike do të sjellin atë lloj mosbesimi që ishte i pranishëm gjatë luftës së ftohtë. Tani për tani, administrata e presidentit Bush e quan këtë “një hendek vlerash”, dhe i ka bërë thirrje Rusisë të demonstrojë një vendosmëri më të fortë ndaj vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Ndër shqetësimet kryesore janë shtypja e lirisë së shtypit, e zërave politikë opozitarë dhe vazhdimi i luftës në Çeçeni.

Sarah Mendelson është analiste në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare dhe ka shkruar shpesh për luftën në Çeçeni. Ajo thotë se shumë në Washington shqetësohen se veprimet ushtarake të Rusisë në Çeçeni në emër të luftës kundër terrorizmit, po sjellin një efekt dëmtues.

“Ka shumë shqetësime se mënyra e përdorimit të forcës nga Rusia ka shtuar ekstremizmin në vend që ta pakësojë atë. Dhe ky nuk është një problem i brendëshëm për Rusinë, por është problem për të gjithë”.

Megjithatë, pak mendojnë se shqetësimi i administratës do të shkojë më tej se një trysni e lehtë si ajo e ushtruar muajt e fundit. William Kincade është profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Amerikan këtu në Washington.

“Nevojat kryesore që Moska dhe Washingtoni kanë për njëri tjetrin në kushtet e tanishme janë kaq të mëdha sa që nuk mendoj se do të tejkalohet ajo lloj trysnie delikate dhe tërheqje e vëmendjes. Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse strategjia e Putinit ndryshon shumë dhe kjo do ta bënte Washingtonin të merrte qëndrim më të ashpër”.

Nuk ka të ngjarë që të ndodhë një gjë e tillë. Presidenti Putin e ka vënë si përparësinë kryesore rritjen ekonomike në mandatin e tij të dytë dhe i shikon lidhjet tregëtare midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara si shumë të rëndësishme. Administrata e presidentit Bush thotë se një ekonomi e balancuar ruse e integruar tërësisht në sistemin e tregëtisë globale e bënë Rusinë një partnere të fortë dhe më të qëndrueshme. Por qeveria amerikane insiston se Rusia duhet të forcojë institucionet e saj demokratike para se të mund të zhvillojë ato lloj marrëdhënie që Shtetet e Bashkuara kanë me aleatët tradicionalë. Siç tha Sekretari i Shtetit Colin Powell për gazetën ruse Izvestiya në fillim të vitit:

“... Pa parimet bazë të përbashkëta, marrëdhëniet tona nuk do të arrijnë aty ku duhet”.

Shumë në Kremlin thonë se Rusia nuk është më një vend në tranzicion dhe se Shtetet e Bashkuara duhet ta pranojnë sistemin politik ashtu siç është.