Ushtria dhe sektori privat - 2004-04-10

Qeveritë e shteteve të ndryshme po i drejtohen gjithnjë e më tepër sektorit privat. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera po punësojnë kompani private ushtarake për shërbime të cilat më parë kryheshin vetëm nga përsoneli i rregullt ushtarak. Qeveritë thonë se shërbimi i ri është më i lirë dhe më efikas, por kritikët argumentojnë se punësimi i kompanive private nuk është etik dhe vë në rrezik sigurimin kombëtar.

Fjala privat ka marrë një kuptim të ri në ushtrinë amerikane. Korporatat private tani ofrojnë eksperiencën e gjeneralëve në pension dhe shërbimet e ish-ushtarëve. Industria private ushtarake e përbërë nga mijëra firma private dhe mijëra njerëz të punësuar përbën sot një biznes shumëmilionësh. Ekspertët thonë se kjo prirje filloi një dekadë më parë por kulmin e arriti gjatë luftës në Irak. Rreth 13 mijë kontraktues privatë në Irak ofrojnë shërbime nga më të ndryshmet, që nga stërvitja e ushtrisë së re irakiane e deri tek detyrat paqeruajtëse.

”Shtetet e Bashkuara konsiderohen si klienti më madh i kësaj industrie. Gjatë vitit të kaluar qeveria amerikane u ka ofruar rreth 3000 kontrata firmave private. Vetëm vitin e kaluar, kjo qeveri ka shpenzuar një të tretën e buxhetit ushtarak, rreth 30 miliardë dollarë për kontrata private.”

Ekspertët thonë se përdorimi i sektorit privat nga ushtria amerikane është rritur dhjetëfish që nga lufta e Gjirit. Në vitin 1991 kishte vetëm një kontraktues për çdo 100 ushtarë.

” Për shembull, në Afrikë, konkretisht në Liberi ne përdornim kompani private për operacionet paqeruajtëse. Kjo nuk ishte një çështje shumë e rëndësishme për të dërguar ushtarë të rregullt amerikanë prandaj ne kontraktonim kompani private të cilat punësojnë ish ushtarë amerikanë, të cilët ishin në gjendje të kryenin një mision shumë efektiv paqeruajtës,” thotë eksperti Doug Brooks.

Megjithatë, Peter Singer i institutit Brukings në Uashington dhe autor i librit ”Luftëtarët e Korporatave”, thotë se përdorimi i kompanive private, u mundëson Shteteve të Bashkuara të ndërhyjnë edhe ato në konflikte të cilat nuk gëzojnë përkrahje publike.

” Në shumë raste këto kompani kontraktohen për operacione të fshehta të cilat përndryshe nuk do të miratoheshin. Një rast i tillë për shembull thuhet të jetë Kolumbia.”

Në Kolumbi aktualisht ka rreth 400 punëtorë privatë të cilët dërgohen atje për misione të rrezikshme anti-drogë, misione shpesh herë fatale nëpër xhunglat e këtij vendi. Vitin e kaluar për shembull, rebelët Kolumbianë rrezuan një aeroplan të tillë dhe pilotin e ekzekutuan, ndërsa një punëtor tjetër, Marc Gonsalves po mbahet rob.

”Shumë para amerikane harxhohen në Kolumbi për të luftuar në luftën civile të këtij vendi e cila në ralitet nuk është fare problem i yni. Mendoj se presidenti Bush duhet të kërjojë nga presidenti Uribe lirimin e këtyre të rinjve.”

Sanho Tree i Institutit për Studimin e Politikave në Uashington thotë se edhe pse këta kontraktues luftojnë për qëllime të politikës amerikane, ata nuk e kanë të njëjtën mbrojtje që gëzojnë ushtarët e rregullt.

” Parë me syrin realist, siguria e këtyre të rinjve është përgjegjësi e kompanisë së tyre. Kjo nuk është shumë e ndryshme nga për shembull dëmtimi i një punëtori të një kompanie të kontraktuar nga qeveria amerikane në sektorin e ndërtimit,” thotë eksperti Sanho Tree.

Por siç thekson Peter Singer i Institutit Brukings, për shkak të mungesës së ligjeve për të kontrollluar punën e këtyre kompanive, ndodh që ka abuzimesh siç ka qenë rasti për shembull me kompaninë Dyn Corp e cila ishte kontraktuar për të stërvitur ushtrinë e re boshnjake në fund të viteve 90. Këta punëtorë u akuzuan se kishin organizuar një rrjet prostitucioni por përveç largimit nga puna nuk u gjykuan për vepër penale.

Megjithë rreziqet, analistët thonë se ushtria përfiton nga kjo industri. Por ata thonë se qeveria duhet të ketë kujdes për të përcaktuar se cilat detyra mund t’ia japë sektorit privat dhe cilat jo. Disa madje sugjerojnë që industria private duhet tu nënshtrohet rregullave më të rrepta për të garantuar ligjshmërinë e tyre.

Kjo thonë analistët, do të krijonte një balancë, pra që qeveritë të përfitonin nga sektori privat por në të njejtën kohë do të evitonte rreziqet që mund të sillte një industri e parregulluar me ligj.//ii