Një gomone me afër 300 kilogram mariuhanë u kap sot në brigjet e Italisë jugore si rezultat i një operacioni të përbashkët të policisë shqiptare dhe asaj italiane. Megjithë kontrollet e rrepta në bregdetin shqiptar trafikantët vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur gjallë trasnportin e drogës. Pak ditë më parë në Itali u sekuestrua një motoskaf i cili ishte ngarkuar me 500 kilogram mariuhanë të nisur nga Shqipëria.
Trafikantët shqiptarë po përpiqen për të gjetur mënyra të reja për të mbajtur në këmbë aktivitetet e tyre të trafikut të drogës apo edhe klandestinëve. Vetëm në javën e fundit janë rregjistruar tre raste të zbuluara që dëshmojnë se rrugët dhe mjetet e trafikut po ndryshojnë. Duke qenë se kontrollet në vijën bregdetare janë bërë të rrepta vecanërisht pas tragjedisë së 9 janarit, gomonet apo skafet po përdoren për të dërguar drogë në Itali. Ngarkesa është më e lehtë kështu që edhe mundësia e udhëtimit, sidomos në kohë të mirë është më e madhe. Sot në brigjet italiane u kap një gomone e drejtuar nga dy shqiptarë dhe e ngarkuar me afër 300 kilogram mariuhanë. Ajo ishte nisur nga brigjet e Vlorës duke i shpëtuar ndjekjes së mjeteve të policisë shqiptare dhe asaj italiane që veprojnë në ujërat shqiptare. Më pas angazhimi i i forcave të tjera në ujërat italiane bëri të mundur bllokimin e saj në brigjet e Brindizit.
Për ti shpëtuar kontrolleve të policisë ka rinisur tashmë një bashkëpunim mes trafikantëve shqiptarë dhe atyre italianë. Fakti që një javë më parë u kap një motoskaf i drejtuar nga tre italiane dhe i ngarkuar me 500 kilogram mariuhanë në Shqipëri, i ka bërë të mendojnë hetuesit se kjo mund të jetë një nga mënyrat e reja për të mbajtur gjallë trafikun. Trafikantët italianë ishin sicilianë, ndërsa mjeti lundrues i përkiste disa kalabrezëve. Një element që bën të mendosh për lidhjet e mundshme të organizatave të Sicilisë dhe Kalabrisë me ato në Shqipoëri që tradicionalisht furnizojnë edhe me heroinë organizatën e njohur mafioze “Ndrangheta”.
Përpjekje të reja duket se ka edhe për trafikun e klandestinëve. Rruga e gjetur duket se tani është Mali i zi. Një motoskaf 17 metra u kap në itali përpara disa ditësh e bashkë me të edhe tre shqiptarë, nga të cilët dy ishin skafistë. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ata kanë transportuar emigrantë klandestinë por duke u nisur nga brigjet e Ulqinit.
//rd//