Shqipëri: Krijohet Komiteti i Luftës kundër Pastrimit të Parave - 2004-03-25

Kryeministri Fatos Nano kërkoi të enjten pasdite marrjen e një vargu masash për të luftuar kundër fenomenit të pastrimit të parave. Lufta kundër krimit të organizuar, tha ai, ka hyrë tashmë në fazën e saj më të lartë. Synimi, saktësoi kryeministri, është goditja e prapavijës ekonomike dhe financiare të krimit të organizuar.

Sipas tij rezultatet e operacionit më të fundit të policisë me sekuestrimet e pasurisë së krimit të organizuar kanmë treguar se efektiviteti i kësaj luftë lidhet ngushtë me goditjen e krimit n prapavijën ekonomike të tij.

Kreu i qeverisë i cili drejtoi mbledhjen e parë të komitetit të luftës kundër pastrimit të parave, deklaroi se varfëria apo gjendja në nevojë e shtetit për më shumë investime apo likuiditete financiare nuk mund të legjitimojnë përdorimin e parave me origjinë të paqartë apo të dyshimtë.

Ai tha se nuk duhen lënë jashtë vëmendjes edhe transaksionet sado të thjeshta financiare bankare apo investime të tjera të brendshme të cilat kanë origjine veprimet abuzive të nëpunësve të shtetit që rezultojnë në fitime të paligjshme.

Kryeministri Nano u shpreh se duhet të jetë sistemi bankar që duhet të marrë kryesimin e kontrollit ligjor mbi transaksionet financiare, dhe i kërkoi ministrit të financave, atij të ekonomisë dhe guvernatorit të bankës që të ndërtojnë një program të detajuar veprimesh për rriten e fluksit të veprimeve financiare npërmjet bankave.

Kryeministri tha se institucionet kanë për detyrë që shtetasve dhe sipërmarrësve t’u krijojnë kushtet për qarkullimin e parasë nëpërmjet bankave duke i larguar ato nga mendësia e pagesës me para në dorë edhe për veprime tregtare me vlera të mëdha.

Qeveria shqiptare u shpreh kryeministri e konsideron sukesesin e kësaj lufte si jetik për uljen e informalitetit në ekonomi, për nxitjen e tregut bankar dhe për reduktimin e konkurrencës së pandershme.

Ai kërkoi që brenda një kohe sa më të shkurtër të grumbullohet një informacion shumë i detajuar për përhapjen dhe shtrirjen e fenomenit të pastrimit të parave në ekonomi. Komiteti për bashkërendimin e luftës kundër pastrimit të parave do të shërbejë si një instrumnt koordinimi dhe nxitjeje për veprime operacionale dhe ekzekutive në goditjen e këtij krimi. //kk//