Administratori civil amerikan i Irakut, Paul Bremer, tha se ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë, Iraku ka filluar rrugën e demokracisë në paqe me fqinjët e tij.
Në një fjalim me rastin e fillimit të 100 ditëve të fundit deri në kalimin e pushtetit tek irakianët, zoti Bremer tha se sigurimi është një nga përparësitë kryesore për irakianët. Ai tha se këtë javë do të krijojë një ministri mbrojtjeje dhe një këshill të sigurimit kombëtar.
Krijimi i ministrisë së mbrojtjes dhe këshillit të sigurimit kombëtar janë pjesë e përpjekjeve të koalicionit për t’i përgatitur udhëheqësit irakianë që të marrin nën kontroll qeverinë deri më 30 qershor.
Ndërkohë, nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës dhe një shkëmbim zjarri i shkurtër në qytetin e Falluxhës, gjetën vdekjen të paktën tre civilë dhe u plagosën katër persona të tjerë, përfshirë dy ushtarë amerikanë.
Ushtria amerikane tha se luftimet shpërthyen, kur trupave të koalicionit iu zu pritë, pak pas mesnatës. Kryengritësit aktivizuan një bombë në anë të rrugës dhe hapën zjarr me armë të lehta, duke plagosur dy ushtarë dhe shkatërruar një automjet.
Disa orë më pas, në Irakun verior, dy bomba shpërthyen në qytetin e Mosulit. Policia irakiane tha se të paktën tre policë u plagosën në një nga shpërthimet.
Në jug të Bagdadit, një shef policie i qarkut u vra nga persona të armatosur në një zonë aty pranë ku nëntë rekrutë të policisë u vrane dje në një pritë.
//ze//