Tensionet e fundit në Kosovë kanë vënë në pikëpyetje krijimin e një shoqërie shumë-etnike dhe kanë dëmtuar rëndë marrëdhëniet e institucioneve vendore me ato të komunitetit ndërkombëtar. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili gjatë këtyre ditëve ka qënë në krye të përpjekjeve për të qetësuar gjendjen, komenton në një intervistë për Zërin e Amerikës situatën në Kosovë dhe përpjekjet që po bën qeveria e tij për të kapërcyer tensionet e fundit.
Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, sipas analistëve, një nga pasojat e drejtëpërdrejta të trazirave ka qënë dëmtimi i marrëdhënieve me UNMIK-un. Sa ai madh ka qënë dëmi? A është ai i riparueshëm?
Kryeministri Bajram Rexhepi: Po ndoshta është herët në këtë moment. Angazhimet kanë qënë të përbashkëta të UNMIK-ut, të KFOR-it dhe të institucioneve vendore që të vendoset një situatë normale, që të vendoset qetësia në Kosovë, pas gjithë këtyre trazirave të dhunshme të tri katër ditëve të fundit. Më pas do të shikojë se cilat ishin shkaqet dhe cilat raporte nuk kanë funksionuar. Ne nuk mund t’i mbyllim sytë dhe të themi se raportet kanë qënë aq të mira. Mendoj se raportet personale me zotin Holkeri kanë qënë të mira, mirëpo me personelin e UNMIK-ut shpesh herë ka patur ngecje në procese ku nuk duhet të kishte një ngecje të tillë. Këto janë për fazat e mëvonshme që ne duhet t’i analizojmë mirë dhe të shohim një formë shumë tjetër të bashkëpunimit.
Zëri i Amerikës: Çfarë forme bashkëpunimi parashikoni ju tani? Çfarë ndryshimesh mund të ketë në bashkëpunimin me UNMIK-un?
Kryeministri Bajram Rexhepi: Po sigurisht së pari duhet të bëhet analizimi i shkaqeve që prunë deri tek protestat e dhunshme, të cilat fatkeqësisht përfunduan edhe me humbje të jetëve të njerëzve, diku deri rreth 30 vetë dhe po ashtu me një numër të madh të plagosurish, me shkatërrim të shtëpive, të kishave, të manastireve, të makinave, të automjeteve të policisë dhe pastaj të gjejmë formën më të mirë të bashkëpunimit. Mendoj se kjo që ndodhi, do të jetë një mësim si për ndërkombëtarët, edhe për vendorët. Shumë gjera janë prezantuar si raporte të mira, por në esencë proceset kanë shkuar shumë ngadalë. Mund të thuhet se ndonjëherë edhe me anashkalim të institucioneve vendore.
Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, gjatë përpjekjeve tuaja këto ditë, gjatë takimeve që keni zhvilluar, cila është përshtypja që ju është krijuar, a keni patur mbështetjen e plotë të institucioneve dhe udhëheqësve politikë të Kosovës?
Kryeministri Bajram Rexhepi: Po, ka patur një angazhim të të gjithëve, në formën e vet dhe mënyrën e vet. Angazhimi ka qënë në bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët, janë bërë disa thirrje të përbashkëta, për uljen e tensioneve dhe për qetësi. Secili në mënyrën e vet, ka kontribuar që të ulen tensionet dhe mendoj se ka qënë një bashkëpunim i mirë. Kemi patur kontakte të shpeshta, jo vetëm me ndërkombëtarët, por edhe me drejtuesit e institucioneve dhe me udhëheqësit politikë. Megjithatë, në këtë situatë, që ishte shumë vështirë të gjehej forma më e mirë e bashkëpunimit, mendoj se pati një bashkëpunim të mirë.
Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, marrëdhëniet me komunitetin serb, duket se kanë rënë në pikën më të ulët që pas përfundimit të luftës. Çfarë mund të shpëtohet nga to? Çfarë masash konkrete mund të merrni JU si kryeministër, për të vendosur besimin midis dy komuniteteve?
Kryeministri Bajram Rexhepi: Përkundër angazhimit maksimal, flas të qeverisë, duhet të krijohen raporte më të mira, që të ketë një bashkëpunim më të mirë, me komunitetet në përgjithësi, në të njejtën kohë edhe me komunitetin serb. Megjithatë nga pala e komunitetit serb ky vullnet ka munguar vazhdimisht. Me përpjekje maksimale, në bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët, jemi munduar që të krijojmë një ambient të qetë, një ambient të përshtatshëm, për të gjithë qytetarët, që të realizojnë të drejtat e tyre qytetare dhe të komuniteteve nëpërmjet institucioneve kosovare. Por megjithë angazhimet, kjo dihet se ka ngecur. Pas trazirave, këto raporte janë trazuar edhe më tepër dhe është humbur pak më tepër besimi. Unë mendoj se pas gjithë këtyre, duhet të mendojnë shumë kthjellët, edhe shumica shqiptare, por edhe komuniteti serb, se që të jetohet në Kosovë me një respekt të ndërsjellë, secili duhet të bëjë hapin pozitiv. Ne si qeveri e kemi bërë hapin e parë. Dje qeveria mori një vendim që të formohet një fond i posaçëm, nga i cili do të bëhet riparimi i shtëpive, kishave, manastireve të djegura, pra riparimi i pronës private të komuniteteve, të komunitetit serb, por edhe të komunitetit ashkali, në Vushtri dhe në vende të tjera. Një grup ndërministror i qeverisë do të bëjë vlerësimin, bashkë me strukturat përgjegjëse komunale, që sa më shpejt të fillojë riparimi. Çështjet materiale edhe mund të riparohen, por jetët e njerëzve nuk kthehen më. Kjo është pjesa më tragjike.
Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, çfarë do të ndodhë me standartet, a jeni ende optimist se Kosova mund t’i plotësojë përsëri ato, pas kushteve të reja ?
Kryeministri Bajram Rexhepi: Ne standartet i kemi marrë me seriozitet të madh, me përkushtimin më të madh. Kemi patur angazhim jo vetëm për dokumentin e operacionalizimit të standarteve, por edhe për planin për zbatimin e tyre, edhe pse unë mendoj se ky plan ka shkuar shumë ngadalë. Arësyet nuk janë aq të mëdha, që të ketë kaq vonesa për fillimin e zbatimit të standarteve për Kosovën. Po ashtu, fillimi i dialogut me Serbinë nuk ka qënë kaq i lehtë, por me një përkushtim serioz, edhe ai filloi. Tani pas kësaj situate, do të bëhet një vlerësim i ri, se kur, si, dhe sa do të jenë të suksesshme këto standarte. Ne nuk kemi hequr dorë nga standartet, por shumë çështje duhet të shkojnë me një dinamizëm të përshpejtuar.
Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, a mendoni se ndarja e Kosovës, po del në horizont si një nga alternativat më të mundshme, ndonëse kundër ndarjes janë shprehur si Prishtina, si Beogradi ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar?
Kryeministri Bajram Rexhepi: Ne gjithmonë kemi thënë se jemi kundër ndarjes. Ndarja nuk çon në drejtimin e duhur asnjerin. Është tejkaluar koha e krijimit të shteteve mono-etnike. Edhe sikur të pranohet një ndarje, kjo nuk mund të izolohet vetëm në Kosovë, por mund të ndodhë në tërë Ballkanin, prandaj është forma më e keqe e mundshme. Si alternativë, kjo ka qënë e pranishme jo vetëm me vite, por ndoshta me dekada, në forma të ndryshme, të paraqitura nga përfaqësues të qeverisë, ose të institucioneve të tjera të Serbisë. Kjo është aktualizuar prapë, me ardhjen në pushtet të koalicionit të prirë nga kryeminsitri Vojisllav Koshtunica, i cili në paraqitjen e tij të parë në parlament, ka propozuar ndarjen e Kosovës. Kjo nuk është e re. Kjo ishte edhe strategjia e ish Kryeministrit Xhinxhiç. Se sa është kjo reale, mbetet për t’u parë. Ne si kosovarë jemi kundër çfarëdo ndarje. Edhe faktori ndërkombëtar është deklaruar se është kundër ndarjes. Ne do të këmbëngulim që të mos ketë kurfarë ndarje, ndërsa do të mbahen zgjedhjet politike për Kosovën.