A mund të zbulohet gënjeshtra - 2004-03-18

Shkencëtarët amerikanë po provojnë një metodë të re për të zbuluar gënjeshtrën; një mënyrë që besohet se mund të jetë shumë më e saktë sesa analiza e ADN-së për zbulimin e krimit.

Metoda e re synon që nëpërmjet shqyrtimit të impulseve të pavullnetshme elektrike të trurit, ekspertët të përcaktojnë nëse personi gënjen apo thotë të vërtetën. I dënuari Jim Ray Slater shpreson që veprimtaria e valëve të trurit të tij do të provojë se ai është i pafajshëm. Slater është dënuar për vrasjen e të dashurës së tij dhe fëmijës së saj, dhe pret për t’u ekzekutuar nga fundi i këtij viti. Metoda e re mund të provojë nëse truri i tij ka regjistruar hollësitë e krimit, hollësi që vetëm ai që ka kryer krimin mund t’i dijë.

Krijuesi i këtij sistemi të ri është doktor Lorenc Faruell. Ai thotë se truri është gjithmonë në veprim duke planifikuar, ekzekutuar dhe regjistruar krimin.

Kur personi sheh diçka të njohur, truri reagon automatikisht dhe ky reagim regjistrohet në formë grafiku. Avokatët e Ray Slaterit po e apelojnë dënimin e tij me vdekje . Doktor Faruelli thotë se provat lënë të kuptohet se truri i Slaterit nuk përmban hollësi rreth vrasjeve.

Ka shumë të ngjarë, thotë doktori, që në përfundim të eksperimentit, në trurin e Slaterit të mos gjejmë asnjë hollëi rreth vrasjeve për të cilat ai është dënuar.

Ndërsa Terri Harrington kaloi 23 vjet në burg për një vrasje në Ajova. Por metoda e re e analizës së trurit e nxorri atë të pafajshëm. Doktor Faruell thotë se tani Teri është njeri i lirë dhe i pafajshëm. Ai thotë se metoda e re zbulon si të pafajshmin edhe fajtorin, siç është rasti i James Grinderit, i cili për vite thoshte se ishte i pafajshëm për vrasjen e një gruaje në vitin 1984. Pasi iu nënshtrua analizës së trurit me metodën e re, James Grinder jo vetëm e pranoi fajin për vrajen në vitin 1984, por gjithashtu pohoi se kishte kryer edhe 3 vrasje të tjera. Metoda e re duket shumë premtuese, dhe kjo është arsyeja që agjencia qëndrore e zbulimit, CIA shpreson ta përdorë atë në të ardhmen në luftën kundër terrorizmit.

//rd//