Ambasadori amerikan për çështjen e krimeve të luftës, Pierre-Richard Prosper, i bëri thirrje Serbisë dhe republikave të tjera ish-jugosllave që të bashkëpunojnë me Gjykatën e Hagës. Ambasadori Prosper i bëri këto komente në një konferencë mbi sfidat e Gjykatës së Hagës, të organizuar dje nga Zëri i Amerikës. Në diskutim ishin të ftuar edhe Nina Bang-Jensen, Drejtoreshë e Koalicionit për Drejtësinë Ndërkombëtare dhe Mark Vlasic, ish-ndihmësprokuror në Gjykatën e Hagës.
Mesazhi i Ambasadorit Prosper për republikat ish-jugosllave ishte mjaft i qartë:në qoftë se Serbia, Kroacia dhe vendet e tjera që u përfshinë në luftrat ballkanike deshirojnë të bëhen anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, ato duhet të bashkëpunojnë me Gjykatën e Hagës. Duket iu referuar dy personave kryesorë të akuzuar për krime luftë në Bosnje, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladic, Ambasadori tha se Serbia është përgjegjëse që ata të kapen dhe t’i dorëzohen Hagës. Ai tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë trysni nga ana e Shteteve të Bashkuara, por shtoi se do të ketë pasoja serioze në qoftë se Beogradi refuzon të bashkëpunojë me Hagën. Ai tha se bashkëpunimi me Hagën është kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO-n.
Ambasadori Pierre-Richard Prosper tha se Shtetet e Bashkuara ndjekin politikën e bashkëpunimit me qeveritë e vendeve ku janë kryer lufte, duke i nxitur ato që t’i dorëzojnë personat që kanë kryer krime ndaj popullsisë civile. Gjatë tre vjetëve të fundit, tha zoti Prosper, është bërë përparim në këtë fushë: të paktën 43 kriminelë lufte janë dorëzuar nga qeveritë e vendeve ballkanike. Por duke patur parasysh që Gjykatës së Hagës i është caktuar afati i vitit 2008 për përfundimin e gjyqeve ndaj kriminelëve të luftës, për arritjen e këtij objektivi, është i nevojshëm bashkëpunimi midis shteteve dhe Gjyaktës. Ky objektiv, tha zoti Prosper, arrihet nëpërmjet faktorëve të trefishtë:
Së pari, -tha zoti Prosper,- Gjykata e Hagës duhet të merret me akuza specifike dhe të përqëndrojë detyrën e saj. Së dyti, shtetet e rajonit duhet të bashkëpunojnë me gjykatën, duke bërë detyrën e tyre, për nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të krimeve. Dhe së fundi, komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbështesë Gjyaktën e Hagës, që ajo t’i çojë deri në fund proceset e nisura.
Zoti Prosper tha se në se këta faktorë nuk ekzistojnë, atëhere Gjykata e Hagës nuk ka se si ta përfundojë misionin e saj deri në vitin 2008.
Në diskutim u ngrit çështja se ku duhen gjykuar kriminelët e luftës. Zonja Nina Ben-Jensen tha se procesi i gjykimit të tyre është një proces sa ndërkombëtar, edhe i brendshëm. Fillimisht, tha zonja Ben-Jensen, nuk ekzistonin kushtet për t’i gjykuar kriminelët brenda vendit, por tani kushtet janë krijuar për një gjë të tillë.
Këtu ajo përmendi shembullin e Kroacisë, që po i gjykon një pjesë të personave që kanë kryer krime lufte brenda vendit; kohët e fundit procese të tilla po fillon edhe Serbia dhe gjithashtu Bosnja po bën përpjekje për fillimin e këtij procesi. Por zonja Ben-Jensen tha se vendet e ndryshme duhet të marrin masat e nevojshme për mbrotjen e dëshmitarëve që pranojnë të dëshmojnë nëpër gjyqet për krime lufte.
Zonja Ben-Jensen tha se mjaft kritika ka patur në adresë të Gjykatës së Hagës për procesin gjyqësor ndaj Sllobodan Millosheviçit,i cili ka tashmë tre vjet që ka fillluar.
Zvarrisja e gjyqit ndaj Sllobodan Millosheviçit ndodhi për shkak të sjelljes dhe teatorve që ai luan, si dhe rezistencës që po bën qeveria e Serbisë për të mos dorëzuar dokumentete nevojshme për gjykimin e tij..., tha zonja Ben-Johnson
Zonja Ben-Jenson ishte e mendimit se zvarritja e gjyqit ndaj Sllobbdan Millosheviçit, ka të bëjë me një mungesë të vullnetit politik të qeverisë së Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës.
Ndërsa zoti Mark Vlasic tha se bashkëpunimi i udhëheqësve të vendeve ballkanike do të ndihmonte së tepërmi në procesin e vendosjes së drejtësisë. Këtu ai përmendi gatishmërinë e duhur të forcave të rendit të këtyre vendeve në paraqitjen e urdhër-arrestit, apo, kontrollet e shtëpive të të akuzuarve.
Të tre dikutantët ishin të mendimit se përgjegjësia për dorëzimin e kriminelëve të luftës mbetet tek Beogradi. Në diskutim u theksua edhe domosdoshmëria e procesit të pajtimit, në vende ku ka patur konflikte, por ky pajtim, thanë ata mund të arrihet vetëm pasi të jenë gjykuar më parë personat që kanë kryer krime ndaj civilëve.