Një numër shpërthimesh të bashkërenduara tronditën sot disa prej objekteve kryesore të sektit shiit në Bagdad, si dhe në qytetin e shenjtë të Qerbelasë, gjatë ceremonive fetare që po zhvilloheshin atje.
Autoritetet thonë se të paktën 143 vetë humbën jetën dhe se shpërthimet u kryen nga persona vetvrasës, me telekomandë dhe me zjarr mortajash. Ato ndodhën pothuajse në të njejtën kohë, në kulmin e ceremonive me rastin e Ditës së Hashures, një nga datat më të shenjta për besimtarët shiitë.
Mbi 1 milionë besimtarë ishin mbledhur rreth xhamisë së Imam Huseinit dhe në xhaminë e Abazit në qytetin Qerbela, ku pati të paktën 5 shpërthime.
Në Bagdat, pati të paktën 4 shpërthime pranë një xhamie shiite. Në ditën e Hashures, shiitët përkujtojnë vdekjen në luftë para 1 mijë e 300 vjetësh të Imam Husenit, nipit të profetit Muhamet.
Këshilli qeverisës irakian i dënoi sulmet duke i quajtur një përpjekje për të përçarë irakianët. Këshilli i përkohshëm bëri thirrje për qetësi dhe shpalli tri ditë zie kombëtare.// lk //