Shtatë kandidatët demokratë të zgjedhjeve presidenciale morën pjesë të enjten në një debat me njeri tjetrin, para zgjedhjeve paraprake në New Hampshire që zhvillohen të martën.
Në skenën e debatit të fundit para zgjedhjeve të rëndësishme paraprake të së martës dy protagonistët kryesorë ishin senatori i shtetit Massachusets John Kerry dhe ish guvernatori i Vermontit Howard Dean.
Disa anketa të opinionit publik tregojnë se senatori Kerry, fitues në zgjedhjet paraprake në Iowa kryeson me 5 deri në 10 përqind ndaj zotit Dean i cili ka qënë në krye për disa muaj.
Nuk pati përplasje të mëdha gjatë debatit të djeshëm. Të shtatë kandidatët u përpoqën të dukeshin sa më shumë presidencialë dhe i përqëndruan kritikat mbi presidentin Bush dhe jo tek njeri tjetri.
Senatori Kerry paraqiti pikëpamjet e tij të ndryshme nga ato të presidentit Bush lidhur me politikën e jashtme amerikane.
”Ai ka ndjekur politikën më arrogante, më të papërgjegjëshme dhe më ideologjike në historinë moderne të vendit tonë,” tha senatori Kerry.
Nga ana e tij Howard Dean mënjanoi tonin agresiv që kishte demonstruar në debatet e mëparëshme dhe u përqëndrua më shumë në politikat që do të ndjekë.
Ai gjithashtu duket se pranoi shqetësimin që krijoi me fjalimin e tij me ton të lartë drejtuar përkrahësve në Iowa pas humbjes në zgjedhjet e atjeshme.
”Unë nuk jam pa të meta dhe mendoj se shumë njerëz qeshën me mua për atë fjalim. Por unë ju them se tregoj të vërtetën dhe nuk tallem me ato që them. Unë kam besim në ato që bëj dhe mendoj se është e rëndësishme që presidenti i Shteteve të Bashkuara të jetë i gatshëm t’i dalë në mbrojtje të drejtës dhe jo asaj që i intereson.”
Fjalimi i zotit Dean është përdorur nga shumë komedianë në shfaqjet televizive.
Në një intervistë për rrjetin ABC që u transmetua pas debatit zoti Dean tha se nuk mendonte se fjalimi i tij në Iowa ishte sipas fjalëve të tij presidencial.
Në pjesën më të madhe të shtatë kandidatët u përpoqën të krijonin bindjen se ishin kundërshtarë të fortë kundër presidentit Bush për në zgjedhjet e nëntorit.
Anketat e fundit tregojnë se gjenerali në pension Wesley Clark radhitet i treti në New Hampshire, megjithëse disa nga rivalët e tij vazhdojnë të theksojnë faktin se ai ka votuar për presidentët republikanë deri në vitin 1990.
Gjenerali Clark kërkoi të siguronte demokratët në New Hampshire se ai është besnik i partisë së tij.
”Unë jam me partinë demokrate tani dhe do të sjellë shumë të tjerë në këtë parti. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë për të fituar në nëntor,” tha gjenerali.
Kandidatët e tjerë që morën pjesë në debat ishin senatori John Edward i Karolinës së veriut i cili po përpiqet të marrë përsëri vendin e dytë si në Iowa, senatori Joseph Lieberman dhe ligjvënësi Dennis Kucinich.
Zgjedhjet e së martës në New Hampshire janë një provë e rëndësishme për fushatën presidenciale. Historikisht gjithë kandidatët që kanë siguruar emërimin nga partia e tyre për zgjedhjet presidenciale kanë zënë vendin e parë ose të dytë në New Hampshire. Pas New Hampshirit, prova tjetër e madhe është në Kaloninën e Jugut më 3 shkurt.