Liria e fesë - një e drejtë universale - 2004-01-05

Liria e fesë është një e drejtë universale e njohur nga ligji ndërkombëtar dhe nga traditat fetare kudo në botë. Por miliona njerëz në dhjetra vende të botës nuk e gëzojnë këtë të drejtë, thotë nënsekretari amerikan i shtetit Richard Armitazh. Ai i bëri komentet me rastin e botimit nga Departamenti i Shtetit të Raportit të 5-të vjetor për Lirinë e Fesë në Botë. Në, raport, tha zoti Armitazh, ju do të gjeni vende që përdorin mjete shtypëse dhe të vrazhdëta për të kontrolluar lirinë e besimit dhe praktimin e fesë. Do të gjeni vende të tjera që janë armiqësore ndaj feve të pakicave apo besimeve të pamiratuara, ose shtete të cilët tolerojnë dhe në fakt inkurajojnë përndjekjen dhe diskriminimin. Gjithashtu, aty do të gjeni vende që kanë ligje ose politika diskriminuese të cilat u japin përparësi disa feve mbi disa të tjera. John Hanford, ambasador i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Çështjet e Lirisë Fetare në Botë, tha se liria e fesë shpesh mbetet e brishtë, e papërfillur dhe e dhunuar. Shumë besimtarë detyrohen të luten fshehurazi ose të kenë frikë të besojnë atë që duan të besojnë, në vend që tu krijohen kushtet për ta bërë këtë në paqe dhe pa frikë. Shumë të tjerë kalojnë nëpër vuajtje të mëdha për besimin e tyre, ata rrihen, torturohen, ndalohen, burgosen dhe madje dënohen me vdekje. Një tjetër kategori, tha zoti Hanford, janë vendet ku qeveritë favorizojnë një fe dominuese dhe ku ato mbajnë qendrim armiqësor ndaj besimeve të pamiratuara prej tyre. Vende të tillë përfshijnë Arabinë Saudite, Iranin, Sudanin dhe Turkmenistanin. Zoti Hanford tha se në vende si Egjipti, Indonezia dhe Nigeria, ka patur raste të mospërfilljes apo diskriminimit ndaj feve pakica apo të pamiratuara. Ndërsa shtete të tjerë si Bjellorusia dhe Rusia kanë ligje ose politika diskriminuese, të cilat i venë disa fe në pozitë inferiore. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shprehen me forcë kundër përndjekjes, diskriminimit dhe intolerancës fetare, kudo që këto ndodhin. Siç është shprehur Presidenti Bush, liria e fesë është liria e parë e shpirtit njerëzor.