Beogradi zyrtar edhe të mërkurën e hodhi poshtë Planin e UNMIK-ut mbi zbatimin e standardeve për Kosovën duke e quajtur atë të papranueshem, sepse është në kundërshtim edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e sugjerimet e dhëna nga Qeveria e Serbisë.
Kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviç deklaroi të mërkurën se plani për realizimin e standardeve në Kosovë nuk është i pranueshëm për kabinetin e tij, sepse këto standarde nuk u garantojnë siguri njerëzve në Kosovë.
Ai ka thënë se veçanërisht është keq që në ato standarde nuk theksohet afati deri kur duhet të arrihen, e askush është përgjegjës për zbatimin e tyre. Ky dokument, sipas vlerësimit të kryeministrit të Serbisë, është një listë e dëshirave, respektivisht një tekst i zbehtë i cili nuk e paraqet detyrime për askënd, prandaj edhe nuk mund të përmendet fjala standard.
Por zoti Zhivkoviç theskoi se gjithçka varet nga fakti nëse brenda disa ditësh standardet do të miratohen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai ka nënvizuar se mendon se akoma ka kohë për plotësimin e tyre, nëse ekziston vullneti i mirë i shefit të UNMIK-ut, që të pranohen disa vërejtje dhe propozime me gojë që i ka dhënë Qeveria e Serbisë para tri ditësh, duke mos dhënë hollësi tjera rreth tyre.
Reagimi i nënkryeministrit serb ngarkuar për Kosovën, Nebojsha Çoviq ishte i ngjashëm me atë të kryeministrit. Ai tha se mospranimi i standardeve nuk është pengesë për bashkësinë ndërkombëtare që të zgjidhë krizën në Kosovë.
Zoti Çoviç u shpreh të mërkurën me fjalë më të buta duke theksuar, në një miting në Valevë, se Serbia e mbështet politikën e UNMIK-ut për standardet para statusit, por është kundër përkufizimit të paqartë dhe me dykuptime të tyre.
Ai propozoi që askush nga zyrtarët dhe funksionarët partiak në Serbi të mos bisedojë, as të marrë vendime rreth Kosovës derisa të formohet Kuvendi i ri i Serbisë dhe të formohet Qeveria e re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Standardet janë të papranueshm edhe për kryetarin e Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica sepse ata në një pjesë dallojnë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe janë tejet të papërcaktuar, treguesit nuk janë të qartë, dhe këto duhet të saktësohen, tha ai.
Prandaj, nënvizon Koshtunica, ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëatre të fillojë t’i respektojë fjalët e veta dhe ta zbatojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit mbi Kosovën.//kk//