Kryeministri Rexhepi: Jam optimist se standardet do të plotësohen brenda afatit - 2003-12-10

Dokumenti për plotësimin e standardeve që duhet të plotësojë Kosova sqaron në hollësi reformat që duhet të realizohen para se të hapen bisedimet për statusin përfundimtar. Por sa i vështirë do të jetë realizimi i tyre? A do të dalin pengesa në proces e sipër? Këtyre pyetjeve iu përgjigj në një intervistë me Zërin e Amerikës, kryeministri i Kosoves, Bajram Rexhepi.

Zëri i Amerikës:Zoti Rexhepi, dokumenti i ri për standardet paraqet një plan të qartë pune se çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës deri në mes të vitit 2005. Por a ka qeveria juaj një plan të qartë të punës dhe si e keni menduar procesin e realizimit të këtyre standardeve?

Bajram Rexhepi:Dokumenti përbëhet nga dy pjesë. Sot është bërë zyrtarizimi i operacionalizimit të standardeve ku specifikohet çdo pjesë që duhet të realizohet deri në mesin e vitit 2005. Ndërsa pjesa tjetër e dokumentit është plani implementues. Në planin implementues në mënyrë iniciale janë formuar grupet punuese, por sot kemi dalë me idenë se ato grupe duhet të jenë të përbashkëta dhe të udhëhequra nga zoti Holkeri dhe unë. Do të bëhet evaluimi i të arriturave gjatë kësaj kohe dhe përcaktimi se në cilat fusha ka ngecje dhe të koncentrohemi më tepër. Ky plan do të jetë i detajuar për nja dy javë deri në tri javë maksimalisht, por sot u mbajt takimi i parë dhe sugjerimet që na paraqitën që të jetë një trup i përbashkët, pra ministrat bashkë me udhëheqësit e shtyllave të UNMIK-ut besoj se hasën në mirëkuptim dhe kjo është forma më funksionale sesi të bashkëpunojmë ngushtë në realizimin e këtyre standardeve.

Zëri i Amerikës: A jeni optimist se këto standarde mund të plotësohen brenda afatit të vitit 2005?

Bajram Rexhepi: Po, jam optimist real, për arsye sepse në të vërtetë këto janë sfida më e madhe që paraqitet para institucioneve të Kosovës, por në përgjithësi edhe para qytetarëve të Kosovës, por me një mobilizim të përbashkët të energjisë pozitive në këtë drejtim, për arsye se tani kemi udhërrëfyesin deri në mesin e vitit 2005 për definimin e statusit të Kosovës dhe përkrahjen që po ashtu është ofruar edhe nga Unioni Evropian në samitin e djeshëm në Bruksel, por edhe gadishmërinë e vendeve përfaqësuese të pesëshes këtu, mendoj se do t’ia dalim t’i realizojmë, pra të bëjmë një përparim të dukshëm në këto standarde që do të jenë të mjaftueshme që të fillojë definimi i statusit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, komuniteti serb në Kosovë nuk pranoi të marrë sot pjesë në shpalljen e standardeve në shenjë proteste duke treguar kështu se mosmarrëveshjet midis shqiptarëve dhe serbëve janë po aq të thella sa edhe më parë. Çfarë ju bën ju optimist se kjo pikë e standardeve, pra marrëdhëniet me komunitetin serb, që është ndoshta një nga më kryesoret, do të plotësohet?

Bajram Rexhepi: Fatkeqësisht komuniteti serb nuk ishte sot prezent gjatë ceremonisë së prezantimit të standardeve. Kjo nuk është e papritur, për arsye se për fat të keq ata marrin urdhra nga qeveritarët e Beogradit dhe sidomos në kohën kur janë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe shpresoj se pas mbajtjes së zgjedhjeve më 28 dhjetor të këtij viti, mendoj se ata duhet t’i kthehen realitetit, të bashkëpunojnë ngushtë që edhe ata të kontribuojnë në realizimin e këtyre standardeve, për arsye se këto standarde janë edhe për të mirën e komuniteteve minoritare.

Zëri i Amerikës:Zoti Rexhepi një prej 8 pikave janë edhe bisedimet me Beogradin per çështjet teknike dhe problemet mes Prishtinës dhe Beogradit janë të shumta. Si shpjegohet që pak, për të mos thënë aspak po lëviz në drejtim të bisedimeve? Ndonëse Serbia është në prag të zgjedhjeve, a mendoni se ju në Kosovë, komuniteti shqiptar është i përgatitur dhe i angazhuar sa duhet për këto bisedime?

Bajram Rexhepi: Kjo është një prej standardeve. Ne kemi bërë përgatitjet e duhura për grupet punuese që do të punojnë në drejtim të dialogut për çështjet e interesit të përbashkët. Është një klimë e pavolitshme në Serbi për momentin. Ata janë të konentruar në zgjedhjet e tyre që janë afër dhe realisht mund të priten ndoshta takimet e para në fillim të vitit të ardhshëm. Ana kosovare edhe pse nuk jemi shumë optimistë se do të ketë sukses ky dialog, megjithatë ne i bëjmë përgatitjet e duhura bashkë me strukturat e UNMIK-ut dhe do të jemi të gatshëm që pjesën tonë të obligimit ta përmbushim.

Zëri i Amerikës:Ju jeni ankuar për ligjet të cilat veprojnë sot në Kosovë. Por për çdo vend në tranzicion, e aq më tepër për kushtet specifike të Kosovës, ndryshimi i ligjeve kërkon kohë dhe plotësimi i standardeve nuk pret ndoshta për një gjë të tillë. A parashikoni probleme serioze nga kjo pengesë? Apo mund të gjendet një kompromis me UNMIK-un?

Bajram Rexhepi: Mendoj se pjesa substanciale e operacionalizimit të standardeve dhe nuk merret shumë me këtë pjesë të legjislacionit. Ajo është një pjesë hyrëse ku është futur edhe rezoluta 1244, korniza kushtetuese dhe ligjet e aplikueshme që ne kemi kërkuar që ajo të hiqet, nuk është e domosdoshme për arsye se synimi ynë është që të arrijmë implementimin e standardeve në koherencë me ligjet e Unionit Evropian, jo me ligjet që janë relike të një sistemi të mëparshëm, prandaj si të tilla nuk çojnë drejt një progresi, por drejt një kthimi mbrapa dhe shpresoj se edhe selia e UNMIK-ut në New York do ta kuptojë drejt këtë.//kk//