Shkallëzohen sulmet anti-semitike në Evropë dhe Lindjen e Mesme - 2003-12-07

Janë shtuar shqetësimet lidhur me shkallëzimin e anti-semitizmit në Evropë, Lindjen e Mesme dhe vende të tjera. Më 15 nëntor, terroristë vetëvrasës aktivizuan bomba në dy sinagoga në Stamboll. Mbi 20 veta mbetën të vrarë. Po atë ditë një shkollë hebraike në afërsi të Parisit u shkatërrua nga zjarri i qëllimtë. Në fillim të nëntorit, një sinagogë në afërsi të qytetit Mançester në Angli u shkatërrua rëndë nga zjarri i qëllimtë.

Autoritetet turke thonë se disa prej personave të arrestuar për shpërthimet në sinagoga kanë lidhje me al-Kaidën, grupi terrorist që u ka shpallur luftë hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve të moderuar dhe të tjerëve që nuk ndjekin të njëjtin variant ekstremist të fesë islame.

Në Francë, presidenti Zhak Shirak thiri një mbledhje urgjente të kabinetit në përgjigje të shkatërrimit të shkollës hebraike. Ai deklaroi se “një sulm ndaj një besimtari hebre është një sulm ndaj Francës.”

Edhe kryeministri britanik Tony Blair ka ngritur zërin kundër sulmeve ndaj hebrenjve. “Duhet ta bëjmë krejtësisht të qartë se nuk do të ketë aspak tolerancë ndaj këtyre akteve,” tha ai. “Ne krenohemi që në këtë vend kemi një komunitet të fortë hebraik, si dhe një komunitet të fortë mysliman,” tha zoti Blair. “Të gjithë udhëheqësit myslimanë me të cilët diskutoj... i dënojnë këto akte me forcë dhe besojnë se ato nuk përfaqësojnë asgjë nga shpirti i vërtetë i fesë islame.”

Përveç sulmeve të dhunshme, vazhdon nxitja e urrejtjes ndaj hebrenjve, e cila është veçanërisht e dukshme në vendet arabe. Një ndër shembujt më flagrantë ishte seriali dramatik televiziv “Al Shatat,” ose “Diaspora,” i cili në mënyrë jo-realiste i portretizonte hebrenjtë si vrasës që po komplotojnë të marrin nën kontroll botën. Seriali u realizua në Siri dhe transmetohej nga stacioni televiziv al-Manar i grupit terrorist Hezbollah me bazë në Liban.

Trillimi famëkeq anti-semitik i njohur si “Protokolli i Etërve të Zionit” vazhdon të shpërndahet gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. Njoftohet se një variant i tij në arabisht ishte vënë në vitrinën e bibliotekës historike të Aleksandrisë në Egjipt, ngjitur me Torën, librin e shenjtë të hebrenjve.

Të shpresojmë se udhëheqësit e vendeve të tjera, veçanërisht atyre në Lindjen e Mesme, do të bashkohen me presidentin francez Zhak Shirak dhe me kryeministrin britanik Blair për të dënuar anti-semitizmin.

//ad//