Sa e përhapur është Sida në Shqipëri dhe në Kosovë? - 2003-12-01

Dhjetë vjet pas zbulimit të rastit të parë të infektimit me virusin HIV, Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet jo problematike përsa i përket përhapjes se këtij virusi. Aktualisht numërohen 116 raste të diagnostikuara, por tre vitet e fundit kanë shënuar nje ritëm më të shpejt të zgjerimit të rrethit të personave të prekur. Mbi 40 vetë llogaritet të kenë humbur jetën nga SIDA, nderkohë që virusi ka prekur edhe 5 fëmijë.

Ndërkohë, në Kosovë qeveria thotë se një nga problemet kryesore që ka të bëjë me Sidën është se të infektuarit nuk kërkojnë ndihmë nga institucionet e specializuara mjekësore. Për të diskutuar më gjerësisht për gjendjen në Shqipëri dhe Kosovë, në emisionin Ditari të datës 1 dhjetor, ftuam për një bisedë telefonike nga Tirana, zotin Arjan Harxhi, mjek infeksionist në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” dhe nga Prishtina, zotin Jusuf Dedushaj, drejtor i Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Harxhi, sa të sakta janë statistikat që dëgjojmë për Shqipërinë dhe sa real është rreziku i një përhapjeje të shpejtë të epidemisë siç ka ndodhur në disa vende të Euroazisë?

Arjan Harxhi: Kur flasim për statistikat e infeksioni HIV duhet të kemi parasysh që bëhet fjalë për një numër të raportuar rastesh dhe për një numër të përllogaritur rastesh. Kur themi që fatmirësisht Shqipëria vazhdon të ngelet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV që është karakteristike jo vetëm e Shqipërisë por e të gjitha vendeve të Evropës Juglindore, këtë e mbështesim kryesisht mbi disa përllogaritje që bëhen mbi bazë të studimeve të bëra në Shqipëri qoftë nga ekspertë shqiptarë, qoftë nga ekspertë të huaj. Ndërsa kur flasim për numrin e raportuar të rasteve, ky numër s’është gjë tjetër veçse numri i infeksioneve të evidentuara me anë të testimeve të ndryshme, bërë me mënyra të ndryshme. Pra rritja graduale e numrit të rasteve tre vjetët e fundit tregon që numri është në rritje, pra ka njëfarë potenciali për shpërthimin e një epidemie të mundshme në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Dedushaj, sa i përhapur është virusi HIV dhe Sida në Kosovë?

Isuf Dedushaj: Rasti i parë i Sidës në Kosovë është regjistruar në vitin 1986 dhe bazuar në statistikat që ka Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik deri më sot në Kosovë janë regjistruar 51 raste të Sidës. Në fakt janë 49 raste të Sidës dhe 2 raste me HIV. Këto janë zbuluar pas hapjes së disa qendrave për konsultim dhe testim vullnetar. Në fakt Kosova për momentin, mund të themi se është vendi më i pastër në shkallë botërore duke patur parasysh se numri akoma nuk është alarmant. Janë bërë përpjekje maksimale për të qënë karshi kësaj të keqeje e cila për Kosovën, për momentin paraqet rrezik.

Zëri i Amerikës: Zoti Harxhi, sa të efektshme janë mjekimet që marrin pacientët e infektuar me HIV apo të sëmurët me SIDA në qendrën tuaj spitalore ?

Arjan Harxhi: Kur flasim për trajtimin e të sëmurëve me HIV, ky trajtim, apo kujdesi ndaj tyre është kompleks. Ai përfshin në vetvete disa komponentë. Ne në qendrën spitalore universitare, në shërbimin infektiv ku kryhet edhe si të thuash kujdesi i centralizuar i këtyre të sëmurëve mundohemi që të realizojmë disa nga këto komponentë. Përkatësisht me këto të sëmurë kryhet një kontroll diagnostik dhe laboratorik gjatë gjithë ecurisë së infeksionit duke pasur parasysh që ky infeksion ka një kohëzgjatje shumë të madhe, bëhet një mbështetje në aspektin psikologjik, duke filluar që nga momenti i parë i testimit, me këshillimet që i bëhen këtyre të sëmurëve, me kujdesin që tregohet si për sferën emocionale të tyre apo të familjarëve. Gjithashtu duke pasur parasysh diagnostikimin dhe mjekimin e infeksioneve oportuniste. Është e vërtetë që një nga komponentët më të rëndësishëm të kujdesit dhe të trajtimit të këtyre të sëmurëve që është mjekimi me antiretroviralë nuk realizohet akoma në Shqipëri. Shpresojmë duke pas parasysh edhe deklaratat e fundit të autoriteteve shqiptare që mjekimi me antiretroviralë të jetë i pranishëm në Shqipëri për këto të sëmurë, pavarësisht se numri është akoma i vogël, do të thoja se është një e drejtë e këtyre pacientëve për të marrë këtë mjekim. Gjithashtu nga ana tjetër do të thoja që komponenti i trajtimit do të kishte efekt pozitiv edhe në komponentin tjetër që është ai i parandalimit. Unë e kuptoj që mjekimi me antiretroviral është i kushtushëm por se pjesëmarrja më aktive e qeverisë shqiptare me anë të dhënies së fondeve përkatëse. Gjithashtu edhe shfrytëzimi i burimeve të tjera për sigurimin e barnave antiretrovirale me kosto më të ulët do të ishte një nga rrugët e sigurimit të këtyre preparateve në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Dedushaj, a shihni ju ndonjë ndërgjegjësim më të madh nga ana e qeverisë së Kosovës apo nga ana e shoqërisë kosovare për të luftuar epideminë dhe për të marrë masat e nevojshme parandaluese?

Isuf Dedushaj: Në Kosovë është punuar shumë në këtë drejtim duke filluar që nga viti 1986. Tendencat tona kanë qënë që të bëhet sa më i lartë ndërgjegjësimi i popullatës në luftë kundër Sidës. Pas luftës, unë shpreh admirimin për institucionet ndërkombëtare që kanë përkrahur shumë Institutin Kombëtar dhe Ministrinë e Shëndetësisë me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit dhe në këtë drejtim ka punuar shumë komiteti kosovar për HIVin, zyra e ministrisë për HIV dhe Instituti Kombëtar në ndihmë të USAID, dhe në këtë drejtim ka ndihmuar shumë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Unë shpresoj që meqë Kosova është e vogël dhe infrastruktura është tjetër nga Shqipëria, mundësitë e punës në parandalimin e virusit HIV janë shumë më të mëdhaja. Sot në ditën botërore të luftës kundër SIDËs është përgatitur një projekt i strategjisë për parandalimin e virusit HIV në Kosovë deri në vitin 2008. Gjithashtu është nënshkruar një deklaratë e përkushtimit nga ana e ministrave përkatëse të qeverisë së Kosovës. Është punuar shumë në këtë drejtim, në ndihmën e madhe që kemi marrë nga ekspertët që kanë ardhur nga CDCja, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë me seli në Gjenevë, pastaj me zyrën evropiane. Në fakt, i tërë buxheti i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka qënë 1 milion dollarë, kurse vetëm për luftën kundër Sidës ka qënë rreth 1 milion e 500 mijë dollarë. Kështu që ne jemi të vetdijshëm se duhet të bëjmë më tepër për parandalimin e sëmundjes duke pasur parasysh se Kosova ka popullatën më të re në Evropë, pasi 90 përqind e popullësisë janë nën 19 vjeç. Ne do të bëjmë çmos që këtë rini të shëndoshë ta kemi në përkujdesje. Do të përpiqemi të zbulojmë grupet me sjellje të rrezikshme pasi fatkeqësisht prostitucioni dhe narkomania janë në rritje në Kosovë dhe kjo kërkon që e keqja të parandalohet në kohë.

//rd//