Muzeu i Historisë Amerikane i Institutit Smithsonian në kryeqytetin Washington nuk ka shumë që ka hapur ekspozitën më të madhe e më ambicioze. Me titull “Amerika në Lëvizje”, ekspozita gjigande përshkruan evolucionin e transportit tokësor në Shtetet e Bashkuara. Me nguljen ceremoniale të gozhdës së artë në një maket shinash treni, sekretari i Institutit Smithsonian, Lawrence Small, së bashku me sekretarit amerikan të Transportit, Norman Mineta, hapën zyrtarisht ekspozitën ”Amerika në Lëvizje”. Zoti Small thotë se ekspozita nxjerr në pah shpirtin e vërtetë të pavarur amerikan.
“‘Amerika në Lëvizje’ eksploron thelbin e shpirtit amerikan. Ajo eksploron ambicien, energjinë, kureshtjen dhe vendosmërinë që i jep jetë këtij vendi. Ekspozita flet për nevojën tonë gjenetike si njerëz për të eksploruar, për të shkuar drejt së panjohurës, për të kapërcyer kufijtë.” Vizitorët që ndalen pranë Lokomotivës së madhe do të dëgjojnë një bashkëbisedim ndërmjet mekanikut dhe kaldaistit, si dhe zhurmën e avullit që fishkëllen nga 16 altoparlantë të vendosur përgjatë trenit 30-metërsh. Jenet Davidson, historiane e lindur në Wells, e cila i ka përfunduar studimet në Universitetin amerikan të Delaware-s është përgjegjëse e ekspozitës.
“Kemi shpenzuar gjithë atë kohë në këtë ekspozitë duke menduar për realizimin e zhurmave. Kjo sallë, siç e vini re, zhurmon nga tingujt. Synimi ynë në këtë ekspozitë ishte të angazhonim si shqisat, ashtu edhe intelektin e vizitorëve”.
Ekspozita përdor gjithashtu 73 makete në përmasave reale për të ndihmuar në tregimin e historisë. Zonja Davidson sjell si shembull kabinën e një moteli ku recepsionistja po përshëndet një myshteri.
“Ky burrë që po kërkon punë në Panirin Botëror më 1939, është ndalur jashtë Laurel-it të shtetit Maryland në motelin ”Rings Rest” për të kaluar natën. Ajo po përpiqet të vendosë nëse është person i përshtatshëm për t’i lëshuar një kabinë. Nga mesi i viteve ’30 drejtori i FBI-së dhe industria e hoteleve kishin idenë se kabinat e moteleve të vogla përgjatë rrugëve gëlonin nga veset. Recepsionistja po përpiqet të dallojë targën e makinës, pasi i ati, pronari i motelit, nuk u jep kabina personave me targa të Virxhinias, Marylandit apo Washingtonit, të cilët dyshohet se jetojnë jo larg motelit.”
Ekspozita “Amerika në Lëvizje” i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të makinave që nga këndvështrimi mekanik, deri në trajtimin e saj si një pjesë e qenësishme e jetës amerikane.
Një koleg i zonjës Davidson, Roger White, është përqendruar më tepër tek sistemi i autostradave në Shtetet e Bashkuara - pjesë e kulturës amerikane. “Autostradat ishin dukuri e re në vitet 1920. Ato u jepnin njerëzve mundësi që nuk i kishin me linjat hekurudhore. Ato bënë të mundur kapërcimin e kufijve të rinj dhe u krijuan mundësi përdoruesve të makinave të zhvillonin veprimtari të reja, të hapnin biznese e struktura të ndryshme përgjatë rrugëve”.
Në ekspozitë tregohen gjithashtu trenat, automjetet apo kabinat në karroceritë e makinave nga ekranet e Holliwoodit, një emision radiofonik për riparimin e makinave e madje edhe emisioni i vitit 1941 për etiketën që duhej përdorur në trena.
Ekspozita Amerika në Lëvizje, në të vërtetë nuk do të lëvizë nga Washingtoni. Ajo do të jetë një pavion i përhershëm i Muzeut të Historisë Amerikane në kryeqytet.//kk//