Kryeministri i Turqisë Recep Tajip Erdogan tha se qeveria e tij do të vazhdojë pa pushim hetimet rreth 4 sulmeve vetëvrasëse gjatë javës së fundit, ndërkohë që mijëra njerëz po zhvillojnë marshime paqësore proteste në mbarë vendin.
Kryeministri Erdogan tha se 4 autorët e sulmeve vetëvrasëse, të cilët vranë 55 veta në Stamboll gjatë javës së kaluar, ishin qytetarë turq. Kryeministri Erdogan tha se vendi duhet ta ketë për turp që shtetas të vet janë përgjegjës për sulmet.
Mijëra njerëz u mblodhën në ato që organizatorët i cilësuan si protesta paqësore në heshtje nëpër qytete në mbarë vendin për të treguar simpati për viktimat dhe për të shprehur revoltë ndaj sulmeve.
Gazeta turke Hurijet shkruan se policia kundër terrorizmit kishte ndaluar 18 persona të dyshuar për pjesëmarrje në dy shpërthimet vetëvrasëse të së enjtes kundër objektivave britanike në Stamboll. Gazeta njofton se personat e dyshuar u arrestuan gjatë bastisjeve, që pasuan shpërthimet nga të cilët humbën jetën 27 veta.
Stambolli është ende i tronditur nga dy shpërthimet vetëvrasëse të së enjtes në konsullatën britanike dhe në qendrën turke të një banke me seli në Londër. Këto sulme, nga të cilët kryeministri tha se humbën jetën 30 veta, pasuan shpërthime të ngjashme në dy sinagoge para një jave nga të cilët u vranë të paktën 25 veta.
Një grup që e identifikoi veten si pjesë të rrjetit terrorist Al-Kaida si dhe një grup ekstremist mysliman turk, që tha se vepronte së bashku me Al-Kaidën, morrën përgjegjësinë për 4 shpërthimet vetëvrasëse.
Kryeministri Erdogan tha se hetuesit mendojnë që autorët turq të sulmeve kishin lidhje me grupe të huaja. Shtypi turk njofton se policia po i përqëndron kërkimet e saj tek radikalët islamikë turq, të cilët luftuan në Afganistan, Bosnje dhe në Çeçeni dhe që prej atëhere janë kthyer në Turqi.
//ze//