Në një artikull të gazetës Washington Post thuhet se presidenti irakian Saddam Hussein nuk dha urdhër për kundërsulm ndaj trupave amerikane kur filloi lufta, pasi ishte i bindur se një pushtim nga toka do të shmangej dhe se ai do të mund të mbetej gjallë.
Sipas gazetës, nënkryeministri irakian Tariq Aziz u ka thënë hetuesve që morën në pyetje, se përfaqësues të Francës dhe të Rusisë e kishin bindur ish presidentin irakian se këto dy vende do të ishin në gjendje ta shtynin ose ta bllokonin një luftë kundër Irakun me anë të votimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë i thanë gazetës se pohimet e zotit Aziz nuk ishin vërtetuar nga burime të tjera. Ndërkohë, gazeta Uashington Post njofton se Agjencia Qendrore e Zbulimit ka kapur një arsenal të madh dokumentesh në Irak ku flitet për shërbimet irakiane të zbulimit, blerjet e armëve dhe agjentët irakianë që vepronin jashtë vendit.
Gazeta citon zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, sipas të cilëve në dokumente jepen emrat e pothuajse të gjithë oficerëve irakianë të zbulimit, emrat e agjentëve të Irakut jashtë vendit dhe prova që flasin për pagesat e bëra nga ai vend për të siguruar ndikim në botën arabe dhe në shtete të tjerë.
Sipas një zyrtari, midis atyre që kanë marrë para të tilla nga Iraku kanë qenë personalitete të njohura dhe me pozitë të lartë në vendet arabe dhe në shtete të tjerë, njerëz që e kanë mbrojtur publikisht Saddam Husseinin.//ii