Në Mejë të Gjakovës rivarrosen 33 të masakruar nga forcat serbe - 2003-11-02

33 kufoma të shqiptarëve, të rrëmbyer nga forcat serbe më 27 prill 1999, të gjetura dhe të identifikuara në varrezën massive të Batajnicës në Serbi, u rivarrosën të djelën në fshatin Mejë të Gjakovës. Mijëra familjarë dhe të afërm të tjerë të viktimave morën pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të tyre.

Përfaqësues të familjeve të viktimave, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përfaqësues të komunës së Gjakovës, të bashkësisë islame dhe të kishës katolike, vunë në dukje krimin e kryer nga forcat serbe gjatë luftës me marrjen e pengjeve, vrasjen e tyre dhe dërgimin e trupave në Serbi, ku edhe ishin varrosur në varrezën massive të Batajnicës.

372 shqiptarë, nga të cilët shumica dërrmuese meshkuj, u rrëmbyen nga forcat serbe pranë shkollës së fshatit Mejë, në një lëndinë që tani quhet Lëndina e Pikëllimit, e kthyer në një varr masiv, ku po vendosen eshtrat e këtyre personave që po sillen nga Serbia në grupe prej 30 deri në 50 kufomash.

Deri tani nga rreth 900 kufoma të gjetura në Batajnicë të Serbisë, janë identifikuar 450 kufoma.

Identifikimi është bërë në bazë të analizës së AND-së në laboratorët e Sarajevës dhe Tuzlës. Nga 372 shqiptarët e rrëmbyer në Lëndinën e Pikëllimit, deri tani janë gjetur dhe identifikuar trupat e vetëm 111 personave.

Familjarët e personave të zhdukur, për të cilët ende nuk ka asnjë të dhënë kërkojnë që të ndriçohet fati i të zhdukurve, ndërkohë që, për trupat e identifikuar në varrezat massive në Serbi, kërkojnë që të kthehen menjëherë dhe të caktohet një hetues i pavarur, i cili do të hetonte ngjarjen që nga vrasja deri tek transportimi i kufomave, për të zhvilluar procedurën penale.

Në Serbi janë gjetur deri tani tre vend-varreza massive, në Batajnicë, Petrovë dhe në liqenin e Perocacit ku është gjetur një kamion frigorifer me kufoma shqiptarësh. Numri i përgjithshëm i kufomave në këto varreza shkon nga 996 deri në 1125, por ky numër nuk është plotësisht i saktë, sepse mbetjet e disa kufomave janë të përziera. //az//