Konferenca e dyte nderkombetare per paqen - 2003-09-21

Konferenca e dytë ndërkombëtare për paqen, që po zhvillohet në qytetin e Shkodrës,organizonet nga Ministria shqiptare e kulturës dhe Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë.

Kjo konferencë, i kushtohet bamirëses së njohur shqiptare, Nënë Terezës, në prag të lumtimit të saj nga Papa Gjon Pali i dytë.

Në prani të rreth 150 të rinjve, të mbledhur nga vendet e Europës Juglindore, kryetari i Konferencës i peshkvnore të Shqipërisë, arqipeshkvi Angelo Massafra, tha se si qeveritarët ashtu edhe njerëzit e thjeshtë te rajonit duhet të punojnë për paqen dhe për të ndihmuar të varfërit ashtu siç bënte edhe Nëna Terezë.

"Shpallja e saj e Lume, le të nxisë të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga feja, për t’u angazhuar më tepër me vepra dhe të nxisë politikanët e vendit tonë në bërjen dhe zbatimin e ligjeve në favor të shtresës më të varfër të shoqërisë sonë shqiptare. Nënë Tereza, shënjtëresha jonë, na ndihmoftë për të pasur një angazhim personal më të vazhdueshëm për më të varfërit."

Ndërsa përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, Denada Sejdini, vlerësoi bashkëpunimin e kësaj Ministrie me Konferencën ipeshkvnore të Shqipërisë, në përpjekjet e përbashkëta për të nderuar bamirësen shqiptare, Nënë Terezën, si dhe për të nxitur të rinjtë e rajonit drejt paqes dhe mirëkuptimit.

"Si përfaqësuese e Ministrisë së kulturës do të doja të nënvizoja faktin se, Nënë Tereza nuk përfaqëson në vetvete një figurë në dimencione vetëm religjoze, por mban gjithashtu dimencionin e jetës, kulturës, paqes, tolerancës, në të gjitha drejtimet njerëzore. Vetsakrifikimi i saj lidhet me ridimencializimin e figurës së saj mitike, që merr përmasa gati-gati biblike. Të gjitha kategoritë e popullsisë në Shqipëri,sidomos të rinjtë, i atribojnë asaj rolin e jashtëzakonshëm që ajo ka luajtur në shfaqjet e saj ndaj intolerancës, mirëkuptimit dhe paqes ne botë."

Duke përshendetur të rinjtë e mbledhur nga Europa Juglindore, përfshirë të rinjtë nga Kosova, Bosnja, Maqedonia dhe Serbia, Motra Mari, e cila punon në shtëpinë e Motrave të Nënë Terezës në Shkodër, u bëri thirrje atyre që të mos lodhen duke ndjekur shembullin e bamirëses me gjak shqiptar.

"Nënë Tereza ju fton ju përsonalisht që ta shikoni botën me vizionin e saj. Konferanca e dytë ndërkombëtare për paqen,që po zhvillohet ne fshatin e paqes,në hyrje të qytetit të Shkodrës,do të vazhdojë punimet gjatë të gjithë javës së ardhëshme."

Të rinjtë nga vendet e Europës Juglindore do të jenë pjesëmarrës në një numër veprimtarish kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës si dhe do të bashkëbisedojnë rreth përvojave që ata sjellin nga vendet e tyre.

//ze//