Suedia zhvillon referendum për euron - 2003-09-14

Në Suedi po zhvillohet referendumi për përdorimin apo jo të Euros si monedhë të re të vendit.

Qendrat e votimit u hapën në orën 8 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00. Mbi shtatë milionë vetë kanë të drejtën e votës në këtë vend.

Votimi i së dielës vjen pak ditë pas vrasjes së Ministres së Jashtme Anna Lindh, e cila ishte në favor të euros. Vdekja e saj mund të rrisë numrin e atyre që votojnë në favor të euros.

Para se zonja Lindh të vritej e goditur me thikë të mërkurën në një kompleks dyqanesh, në Suedi kundërshtimi ndaj euros ishte shumë i fortë. Sondazhet e bëra një ditë më pas tregonin se mbështetësit e euros ishin për herë të parë në krye. Gjithsesi një numër i madh votuesish mbeten të pavendosur.

Nëse Suedia i thotë “po” euros, ajo do të bashkohet me 12 vende të tjera evropiane që e kanë miratuar këtë monedhë.

Suedia u fut në Bashkimin Evropian në vitin 1995, por vendosi të mos ta pranonte euron, kur ajo u fut në qarkullim katër vjet më pas në vitin 1999.

Ndërkohë që vazhdon votimi, policia ende po kërkonte për vrasësin e zonjës Lindh. Autoritetet nuk kanë ende ndonjë shpjegim për motivin e vrasjes, por nuk e kanë lidhur me votimin e sotëm. //kk//