Departamenti amerikan i Shtetit nxorri një paralajmërim në shkallë botërore për mundësinë e sulmeve terroriste të al-Qaidës kundër interesave amerikane jashtë vendit. Në njoftim përmendet Evropa dhe Euroazia si objektiva të mundëshme të sulmeve të reja por nuk përjashtohet mundësinë që al-Qaida të ndërmarrë një goditje tjetër me përmasa të mëdha brenda Shteteve të Bashkuara. Në paralajmërim thuhet gjithashtu se sulmet e ardhëshme mund të jenë më shkatërrimtare se ato të 11 shtatorit dhe se në to mund të përdoren armë kimike dhe biologjike.
Paralajmërimi i Departamentit të Shtetit, duke përmendur karakterin e sulmeve të fundit të al-Qaidës dhe të grupeve të lidhura me të, thotë se Evropa dhe Euroazia mund të jenë objektiva të sulmeve të reja, që do të përkonin me përvjetorin e 11 shtatorit.
Deklarata përdor tone mjaft të mprehta që shihen rrallë në paralajmërime të tilla. Aty thuhet se zyrtarët amerikanë po shikojnë gjithnjë e më shumë shenja që tregojnë se al-Qaida po përgatitet të godasë interesat amerikane jashtë vendit dhe se kjo organizatë do të përpiqet me sa duket të ndërmarrë sulme akoma më shkatërrimtare se sa ato të 11 shtatorit.
Në paralajmërim thuhet se sulmet mund të kryhen me armë jo-konvencionale si agjentë kimikë dhe biologjikë dhe se zyrtarët amerikanë nuk përjashtojnë mundësinë që al-Qaida të planifikojë një sulm tjetër katastrofik brenda Shteteve të Bashkuara.
Paralajmërimi u njoftua ndërkohë që punonjësit e Departamentit të Shtetit zhvillonin një ceremoni përkujtimore, ku sekretari i shtetit Colin Powell vlerësoi lart përparimin ndërkombëtar të bërë në luftën kundër terrorizmit, që nga aktet e 11 shtatorit të cilat ai i cilësoi si tmerr i paimagjinueshëm dhe mizori e papërshkrueshme. "Ne nuk reaguam vetëm me dhimje dhe me zemërim. Nën udhëheqjen e Presidentit Bush, ne ndërmorëm veprime të vendosura. Të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, vendet kudo në botë janë bashkuar në një përpjekje historike në shkallë botërore për të fshirë terrorizmin nga faqja e dheut," tha zoti Powell. Ai tha se miq besnikë dhe ish kundërshtarë të Shteteve të Bashkuara janë bashkuar në luftën kundër terrorizmit. Zoti Powell theksoi se administrata e Presidentit Bush po përdor çdo strukturë të shtetit në luftë kundër terrorizmit, duke përfshirë ushtrinë, kundërzbulimin dhe diplomacinë.
//rd//