SHBA mbështet përpjekjet e Shkupit për eliminimin e një grupi të armatosur - 2003-09-09

Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetje ndaj përpjekjeve të qeverisë së Maqedonisë për të eliminuar një grup të armatosur që përpiqet të minojë paqen dhe stabilitetin në vend.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher tha dje se Uashingtoni mbështet veprimet policore legjitime dhe me objektiv të qartë kundër grupeve të armatosura që përpiqen të destabilizojnë vendin. Por ai u bëri thirrje autoriteteve maqedonase të përdorin minimumin e forcës për të mbrojtur jetën dhe pronat e banorëve të pafajshëm.

Komentet e zëdhënësit u bënë një ditë pas vrasjes së dy personave të armatosur në përleshjet midis një grupi të armatosur shqiptar dhe forcave të qeverisë. Zëdhënësi tha se duket se gjendja po normalizohet.

HOLKERI: BISEDIMET MUND TE FILLOJNE SE SHPEJTI

Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Harri Holkeri tha se bisedimet e para midis autoriteteve serbe dhe udhëheqësve të shqiptarëve mund të fillojnë gjatë pak javëve të ardhëshme.

Zoti Holkeri tha se shpreson t’i shpallë hollësitë në të ardhmen e afërt. Ai i bëri komentet sot në Bruksel, pas bisedimeve me shefin e politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.

Ndërkohë, Komisioneri evropian për punët e jashtëme, Chris Patten do të vizitojë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin.

Ai do të takohet me shefin e UNMIK-ut Holkeri, me drejtuesit e institucioneve vendore dhe me figura të tjera politike të Kosovës. Për herë të parë ai do të mbajë një fjalim në Parlamentin e Kosovës.

Në prag të vizitës, komisioneri Patten tha se përsa i përket Kosovës, ”është nevojë urgjente që të qendrohet larg veprimeve provokative, siç është marrja e pozicioneve lidhur me statusin përfundimtar.”

Ai theksoi nevojën për t’u përqendruar te fillimi i një dialogu konstruktiv midis Prishtinës dhe Beogradit sa më shpejt që të jetë e mundur për çështje të interesit të përbashkët.

Ai tha se tensionet etnike nuk duhet lejuar të shkatërrojnë përparimin politik dhe ekonomik të arritur në Kosovë. //rd//