Sekretari Rumsfeld viziton trupat amerikane në Irak - 2003-09-05

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, po viziton trupat amerikane në Irak. Ndalesa e tij e fundit ishte qyteti i Mosulit, ku një ekspert britanik i heqjes së minave u vra në një pritë, gjë që pasqyron vazhdimin e problemeve të sigurisë në këtë vend.

Një shoqatë bamirëse që pastron fushat e betejës nga minat dhe lëndët plasëse në të gjithë botën, tha se një nga ekspertët e saj për çmontimin e bombave u vra dje në një rrugë kryesore që çon në Mosul. Në këtë sulm u plagos edhe homologu i tij irakian.

Ndalesa e Sekretari Rumsfeld në Mosul ishte pjesë e vizitës që ai po u bën trupave dhe komandantëve amerikanë në Irak. Ai ishte sot edhe në qytetin e lindjes së udhëheqësit të përmbysur irakian, Sadam Husein, Tikrit.

Zoti Ramsfeld u tha trupave se ishte i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ata po përballen në Irak dhe i falenderoi ata për sakrificat e tyre.

Ndërkohë, persona të armatosur hapën sot zjarr kundër besimtarëve, pas lutjeve të mëngjesit, në një xhami suni, në një zonë të Bagdadit të banuar kryesisht nga myslimanë shiitë. Imami i xhamisë tha se në këtë sulm, synimi i të cilit ishte krijimi i përçarjeve midis myslimanëve, u plagosën tre vetë.// lk //