Kasetë tjetër ku mund të jetë zëri i Saddam Husseinit - 2003-08-01

Një stacion televiziv arab transmetoi të premten një mesazh të ri të regjistruar, zëri i së cilës thuhet se mund të jetë i Sadam Husseinit, që u bën thirrje irakianëve të fillojnë kryengritjen kundër forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Kaseta u transmetua nga televizioni satelitor Al-Xhazira me qendër në Katar. Zëri në kasetë u bën thirrje irakianëve të marrin nën kontroll pronat e ish-regjimit, kudo qofshin, për të organizuar kryengritjen.

Origjina e kasetës së re ende nuk verifikuar dhe thuhet se mesazhi është regjistruar të dielën e kaluar, më 27 korrik.

Ndërkohë forcat amerikane bastisën të premten dy shtëpi në qytetin e lindjes së Sadam Huseinit Tikrit. Një zyrtar amerikan tha se u arrestuan dy persona të cilët ai i cilësoi si ndihmës të rëndësishëm të ish udhëheqësit të përmbysur.

Zyrtarët amerikanë kanë ofruar një shpërblim prej 25-milionë dollarësh për informacione që do të çonin në kapjen, apo vrasjen e Sadamit.

Të enjten, Departamenti amerikan i Shtetit tha se do t’i dorëzojë shpërblimin prej 30 milionë dollarësh personit, i cili tregoi vendin ku ndodheshin dy djemtë e Sadamit. Zyrtarët shpresojnë se kjo do të nxisë irakinët e tjerë të japin informacione për vendndodhjen e Saddamit.//kk//