Celia Kruz ishte mbretëresha e muzikës Salsa. Simpatizantë nga e gjithë bota u mblodhën përgjatë rrugëve të Nju Jorkut për t’i dhënë lamtumirën e fundit këngëtares që vdiq më 16 korrik nga një tumor në tru në moshën 77-vjeç. Zonja Kruz, e cila këndonte muzikën latino-amerikane të njohur me emrin salsa, kishte fituar disa çmime Gremi. Gjatë karrierës së saj 60-vjeçare ajo regjistroi më shumë se 70 albume.
Kur kortezhi me trupin e saj të vendosur në një karrocë me kalë të mbuluar me lule kaloi në një rrugë të Nju Jorkut, artdashësit e përshëndetën Celia Kruzin si një legjendë të adhuruar:
“Celia Kruz ishte një grua e madhe, një muzikante e madhe dhe po ta kishe takuar më parë, do ta kuptoje se shpirti i saj është kudo. Ajo gjithmonë buzëqeshte. Ishte një grua e mrekullueshme, dhe më bënte të qeshja dhe të qaja. Tani që shoh arkivolin, nuk më trishton vdekja e saj, pasi e di që muzika e saj jeton,” thotë një admirues.
Pa dyshim, Celia Kruz u solli gëzim shumë njerëzve. Por për fat të keq, një ndër dëshirat e saj, që të kthehej në atdheun e saj, Kubë, nuk u përmbush dot. Zonja Kruz u largua nga Kuba pak pasi Fidel Kastro erdhi në pushtet në vitin 1959. Ajo thoshte gjithmonë se kishte shumë dëshirë të kthehej në Kubë, por vetëm kur Kastro të mos ishte më në pushtet. Por Kastroja dhe politikat e tij shtypëse vazhdojnë edhe pas vdekjes së artistes.
Zyrtarisht Celia Kruz nuk u përfill në Kubë. Gjatë viteve kur mori hov popullariteti i saj në botë, disqet dhe programet e saj u hoqën nga lista e programeve që transmetoheshin nga stacionet shtetërore televizive apo radiofonike.
Edhe vdekja e saj u përmend fare pak. Gazeta Granma e Partisë Komuniste të Kubës, e kontrolluar nga Fidel Kastroja, i kushtoi vetëm dy paragrafë në faqen e saj të gjashtë kësaj ngjarjeje. Artikulli vinte në dukje se ajo ishte një artiste e rëndësishme, e cila popullarizoi muzikën kubane, por shtonte se “gjatë katër dekadave të fundit, Celia Kruz ishte angazhuar sistematikisht në fushatat kundër revolucionit kuban.”
Pa dyshim, vetë Celia do të ishte ndjerë krenare nga kjo frazë, ashtu si vetë populli kuban i cili ndjehet krenar për Celian. Siç tha presidenti Xhorxh Bush, “Suksesi i saj gjatë viteve që pasuan largimin nga Kuba e saj e dashur, ishte një nderim për këmbënguljen, dhimbshurinë dhe dashurinë e saj për jetën.”
//ad//