Presidenti Bush tha se do të kundërpërgjigjet me forcë ndaj milicëve irakianë që sulmojnë trupat amerikane. Në Irak janë vrarë 26 amerikanë gjatë dy muajve që kanë kaluar nga dita kur Presidenti Bush deklaroi se operacionet e luftimit në shkallë të gjerë kishin marrë fund.
Presidenti Bush tha se vazhdimi i sulmeve kundër trupave amerikane në Irak nuk do ta thyejë vendosmërinë e tij për t’i mbajtur trupat në këtë vend për sa kohë që do të kërkojë vendosja e stabilitetit.
“Ka nga ata që mendojnë se gjendja është e tillë që ata mund të na sulmojnë. Përgjigja ime është: le të na godasin. Ne e kemi forcën e duhur për ta zgjidhur problemin e sigurisë”, tha presidenti.
Presidenti Bush tha se ai e mirëpret kontributin e vendeve të tjera si Polonia, Britania dhe Ukraina me trupa në Irak. Ai tha se ekstremistët irakianë që përpiqen të dëbojnë nga vendi trupat e koalicionit, do të dështojnë.
“Ne nuk do të bëhemi nervozë dhe nuk do të largohemi derisa të kemi kryer detyrën. Dhe kjo detyrë është: një Irak i lirë i drejtuar nga populli irakian, tha Presidenti Bush.
Presidenti tha se trupat amerikane do të kundërpërgjigjen me ashpërsi ndaj njerëzve që sabotojnë infrastrukturën irakiane, përfshirë linjat e energjisë dhe naftësjellësit. Ai tha se këto akte nuk i shkatojnë dëm Amerikës por vetë irakianëve.
Tani që amerikanët po shprehin gjithnjë e më tepër shqetësim ndaj sulmeve kundër trupave të tyre në Irak, Presidenti Bush po flet me tone më të ashpra lidhur me vendosmërinë e tij për ndëshkimin e personave përgjegjës.
“Cilido që përpiqet të dëmtojë trupat amerikane do të kapet dhe do të nxirret para drejtësisë. Ka nga ata që mendojnë se nëse na sulmojnë, ne do të largohemi para kohe. Ata nuk dinë ç’flasin nëse vërtet mendojnë kështu tha Presidenti Bush”.
Ai tha gjithashtu se është çështje kohe para se trupat amerikane të gjejnë prova për ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë.